Rehabilitohet blloku i banimit në Njësinë 3, Veliaj: Tirana, një kantier investimesh! Buxheti 2025, më transformuesi

16/11/2024 21:29

Ka përfunduar në kohë rekord rehabilitimi i hapësirës mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit” në Njësinë 3. Pas inspektimit të bllokut, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se tani banorët kanë një lagje më të jetueshme.

“Kjo është një nga ato punët e vogla, por që bëhet me dashuri të madhe. Tirana është si ajo loja me puzzle, tek e cila çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet, përndryshe nëse një copë mungon, stonon; në fakt, stononte e gjithë kjo zonë mes “Kujtim Laros” dhe “Kongresit të Manastirit” dhe prova që e bëmë në kohë rekord, duke shtuar edhe hapësirat pedonale për banorët e zonës, më bën të ndihem mirënjohës për skuadrën. Është shumë e rëndësishme të kemi hapësira të mëdha publike, si te sheshi ‘Skënderbej’, Pazari i Ri, te Liqeni, Kalaja, por ne e dimë se, 90% të kohës, njerëzit rrinë në lagje, jo në sheshe. Për sa kohë që projekti i ‘100 lagjeve’ po krijon çdo muaj nga një lagje të re, jemi shumë pranë momentit kur mund të themi se Tirana është urbanizuar e gjitha, sidomos lagjet me ndërtimet e vjetra të kohës së komunizmit”, tha ai.

Tani që lagjja është e pajisur me infrastrukturën e duhur, trotuare, stola, ndriçim, lulishtet, pemë etj, Veliaj tha se ka nevojë edhe për rehabilitimin e pallateve të vjetra.

“Pjesa më e madhe e pallateve janë pallate të vjetra, të kohës së komunizmit, që kanë nevojë për një veshje kapotë. Ne i kemi hapur thirrjet gjatë gjithë vitit, por me buxhetin e ri do të kemi mundësi të bëjmë edhe 200 pallate të tjera. Ftesa për të gjithë dashamirësit është: Ejani aplikoni! Bashkia e Tiranës paguan 50% të kostos së veshjes së pallatit me kapotë, ndërkohë që paguan gjithashtu edhe për çdo pensionist, për çdo person me aftësi të kufizuar dhe me ndihmë ekonomike. Ftesa për banorët është se, nëse në nivel horizontal punën e ka bërë bashkia, dhe jam vërtet i kënaqur nga puna cilësore, nivelin vertikal do ta bëjmë bashkë. Na duhet bashkëpunim nga të gjithë”, deklaroi ai.

Teksa e konsideroi kryeqytetin një kantier investimesh, Veliaj nënvizoi se buxheti i vitit 2025 do të jetë jo vetëm më i madhi, por më transformuesi i Bashkisë së Tiranës.

“Do të kemi një buxhet rekord për Bashkinë e Tiranës në 2025, jo vetëm se Tirana është e gjitha një kantier investimesh, – kemi 7-8 shkolla të reja, për ta çuar në mbi 50 numrin e shkollave të reja në Tiranë, – por mbi të gjitha se Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, bashkë me Aleksandrinë e Egjiptit, me rreth një mijë aktivitete kulturore. Dëgjesat për buxhetimin me pjesëmarrje do t’i lajmërojmë javës tjetër, kështu që secili prej qytetarëve të njësive administrative që ka kërkesa, jemi në kohën e duhur. Duam që në fund të dhjetorit të kalojmë buxhetin jo vetëm më të madh, por buxhetin më transformues që ka pasur Bashkia e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Ai përmendi faktin se nga 1 janari, të gjithë pensionistët do të udhëtojnë falas me autobusët e Tiranës, ndërsa nga shtatori tjetër, ushqimi për fëmijët do të jetë falas në shkolla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA