Gjatë tubimit të tij të fundit në shtetin e fushëbetejës së Karolinës së Veriut, ish-presidenti Donlad Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij që ta zgjedhin atë, duke përsëritur pretendime për ndërhyrje në zgjedhje dhe duke mbjellë terrenin për të hedhur dyshime mbi rezultatin e votimit në ditën e zgjedhjeve.
Republikani e quajti 5 nëntorin ditën më të rëndësishme në historinë e vendit, ndërsa ofroi argumentin e tij përmbyllës në një garë presidenciale që mbetet tepër e ngushtë, me sondazhet që tregojnë se Trump dhe Harris mbeten të barabartë në shumë shtete të fushëbetejës.
Trump foli për më shumë se një orë gjatë tubimit dhe rinovoi premtimet e tij për mbylljen e kufirit të SHBA-së me Meksikën.
“Ne nuk do të pushtohemi, nuk do të pushtohemi, nuk do të pushtohemi. Ne do të jemi edhe një herë një komb i lirë dhe krenar. Të gjithë do të përparojnë, çdo familje do të lulëzojë dhe çdo ditë do të jetë e mbushur me mundësi dhe shpresë dhe vetë ëndrrën amerikane”, tha Trump.
Ish-presidenti përsëri u bëri thirrje mbështetësve të tij që të përjashtojnë mundësinë për të votuar për Kamalën.
“Së bashku, ne do të luftojmë, luftojmë, luftojmë dhe fitojmë, fitojmë, fitojmë”, tha Trump.
Top Channel