Ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane është duke nxjerrë konkluzionet e para pas gërmimeve në zonën e agorasë në parkun arkeologjik të Finiqit.
Foinike dikur qendra e Kaonisë e që prej vitit 234 p.e.s edhe kryeqendra e Epirit, është mes siteve më të rëndësishme arkeologjikë pas Butrintit. Qyteti antik i vendosur mbi një kodër 283 m mbi nivelin e detit me pozicion strategjik dhe me fushëpamje mbi gjithë luginën e Vurgut, deri në liqenin e Butrintit ka zbuluar të reja të rëndësishme për arkeologët sa i përket arkitekturës publike gjatë periudhës romake, funksionit të godinave jetës qytetare funksioneve dhe jetës në agora si dhe janë zgjeruar njohuritë rreth zhvillimeve politike.
Genc Kaçi arkeolog pjesë e ekspeditës tha se në këtë fazë të re të hulumtimit mbi periudhën romake janë ekspozuar të reja me vlerë mbi zonën e agorasë gjithashtu objekte, rrugë dhe sheshe publike me funksione themelore për organizimin e qytetit.
“Është viti i 25-të në fakt që në bashkëpunim edhe me universitetin e Bolonjës dhe Institutit të Arkeologjisë bëhen gërmime në parkun arkeologjik të Finiqit. Edhe sivjet dolën trakte të reja e pjesë të reja që vërtetojnë madhështinë e Finiqit si kryeqendra e Epirit dhe një nga qytetet kryesore sidomos gjatë viteve 205 deri në 123 kur është nënshkruar edhe paqja mes Romës dhe Maqedonisë. Pjesa e agorasë ku ndodhemi ishte tregu i këtij qyteti.
Dallohet pjesa e rrugës kryesore dhe më tej godinat të vendosura në një sistem tarracimesh. Godinat e zbuluara më në Jug tregojnë se ato kanë qenë pjesë e tregut dhe e sheshit qendror të qytetit. Në shkrimet e zbuluara rezulton se Finiqi është pushtuar tri herë pa luftë, dy herë nga forcat ilire dhe kur janë larguar ato kanë marrë aq shumë plaçkë sa nuk kishin ku ti ngarkonin. Për shkak të sipërfaqes shumë të madhe gati 57ha ka pamundësi për gërmime në këtë shkallë por çdo vit zbulohet diçka e re që pasuron jo vetëm inventarin arkeologjik por edhe përbën një arsye më shumë për ta vizituar”, u shpreh ai.
Parku arkeologjik i Finiqit vetëm 8 km larg Sarandës, me një sipërfaqe prej 57 ha dhe zonë arkeologjike prej 150 ha u krijua në vitin 2005. Gërmimet e viteve të fundit konfirmuan datimin e tij që prej shek V p.e.s ndërsa të vizitueshme janë teatri, agoraja, rrënojat e një bazilike paleokristjane, tempujt, muri rrethues, banesat dhe vilat.
Top Channel