Brukseli dhe Prishtina e kritikuan synimin e Beogradit për të “vendosur” juridiksion gjyqësor në Kosovë.
Qeveria e Serbisë tha se do ta bëjë këtë, pasi, sipas saj, për serbët në Kosovë nuk ka siguri juridike.
Ligji që Qeveria e Serbisë ia propozoi Kuvendit serb për miratim më 28 tetor, parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.
Ky ligj u tha se do të zbatohet edhe për procedurat penale të nisura para miratimit të tij. Bashkimi Evropian tha se Qeveria e Serbisë, me miratimin e këtij projektligji, e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit. BE-ja e ftoi Beogradin zyrtar që ta rishqyrtojë miratimin e paralajmëruar të tij.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja Nabila Massrali tha se obligimet e Serbisë dhe të Kosovës në lidhje me juridiksionin e autoriteteve gjyqësore, kanë qenë të qarta që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në vitin 2013.
“BE-ja e kujton Serbinë se i ka obligim të gjitha marrëveshjet nga dialogu, të cilat janë pjesë integrale e integrimit të saj evropian, dhe i bën thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë projektligjin në përputhje me rrethanat”, tha Massrali.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Në të njëjtën seancë, Qeveria e Serbisë miratoi edhe projektligjin për shpalljen e Kosovës “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
BE-ja konsideron se edhe ky propozim nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i paralajmëroi këto ligje qysh në mes të shtatorit, si “përgjigje” ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i mbyllur institucionet në Kosovë që punojnë nën sistemin e Serbisë.
Vuçiq tha atëkohë se prokuroria speciale dhe trupi gjykues special “do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Ai tha se prokuroria do të ketë “detyrë të posaçme që t’i hetojë dhe ndjekë penalisht veprat penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve në Prishtinë”.
Çfarë thonë në Beograd dhe në Prishtinë?
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ligjet janë reagim ndaj, siç u shpreh, “shtypjes së popullit serb nga regjimi në Prishtinë dhe mungesës së veprimeve të dukshme nga misioni [për sundimin e ligjit] EULEX i Bashkimit Evropian”.
Përmes një deklarate për mediat, ai tha “nëse do të kishte sundim të ligjit në Kosovë dhe nëse serbët do të kishin siguri juridike”, ligji i propozuar nga Qeveria në Beograd nuk do të ishte i nevojshëm.
Duke iu përgjigjur vlerësimit të BE-së për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit, Petkoviq tha se ligjet e miratuara nga Serbia – si formë e mbështetjes për popullin serb në Kosovë – nuk kanë të bëjnë fare me obligimet nga dialogu.
Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për vendimin e Qeverisë së Serbisë për juridiksionin gjyqësor në Kosovë, por zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shkroi në X se “Serbia vazhdon ta pengojë procesin e dialogut”.
Sipas tij, Serbia “i dërgon letra Komisionit Evropian, në të cilat shpreh gatishmërinë për zbatimin e obligimeve nga dialogu, por vazhdon të shkelë marrëveshjet, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”.
Gjyqtari në pension në Kosovë, Mirosllav Ivanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se formimi eventual i këtyre organeve gjyqësore, do të ndikonte vetëm në situatën ditore politike, pasi “Serbia nuk mund ta ushtrojë sovranitetin e organeve të saj shtetërore në territorin e Kosovës”.
Ai nuk e përjashton mundësinë që ky ligj të jetë propozuar për të arritur ndonjë qëllim politik dhe pastaj të tërhiqet. Ai e sheh “zbatimin retroaktiv” të ligjit të propozuar si mangësi të tij.
“Nuk e kam të qartë se si dikush do të marrë përsipër diçka që ka ndodhur më parë. Ju keni një rast aktiv të sulmit së Banjskë dhe të [vrasjes së politikanit serb] Oliver [Ivanoviq]. Si do ta marrë dikush [rastin] me rregulloren që po miratohet?”, thotë Ivanoviq.
Vëllai i tij, Oliver Ivanoviq, u vra në fillim të vitit 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës.
Ministria serbe e Drejtësisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ligji i ri do të zbatohej edhe për rastin e Banjskës dhe atë të Oliver Ivanoviqit.
Për rastin e Banjskës – ku një grup i armatosur serbësh sulmoi shtatorin e kaluar Policinë e Kosovës dhe vrau një polic, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë – autoritetet e Kosovës kërkojnë nga Beogradi ekstradimin e Millan Radoiçiqit, i cili e mori përgjegjësinë për atë sulm.
As Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila po zhvillon hetime kundër Radoiçiqit, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ligji i ri do të zbatohet në atë rast.
Sipas ligjit të propozuar, Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd do të kishin juridiksion në shkallën e parë, ndërsa Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd në shkallën e dytë.
Në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd do të krijohej departament i posaçëm për ndjekjen e krimeve të kryera në territorin e Kosovës, ndërsa në Gjykatën e Lartë do të kishte një departament të posaçëm për gjykime.
Prokuroria speciale, ndërkaq, do të drejtohej nga një prokuror publik special.
Ish-kryetarja e Gjykatës Supreme të Serbisë, Vida Petroviq Shkero, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sipas legjislacionit aktual në Serbi, gjykata në territorin ku ka ndodhur krimi, është kompetente për procedurën penale.
“Mua më duket si një masë populiste, për të treguar se si kujdesemi për serbët që jetojnë në Kosovë”, thotë ajo.
Sipas saj, ligji i propozuar nuk do të mund të sigurojë mbrojtje për njerëzit.
“Si do të dëgjohen dëshmitarët? Si do të kryhet hetimi? Si do të kryhen veprimet e nevojshme në procedime? Si juriste, unë nuk mund ta kuptoj se si do të funksionojë”, thotë Shkero.
Një hap prapa pas integrimit
Korniza ligjore e Serbisë i njeh ende selitë e gjykatave dhe prokurorive në territorin e Kosovës, por këto institucione nuk ekzistojnë që nga viti 2017, kur prokurorët dhe gjyqtarët serbë u integruan në sistemin e Kosovës.
Mirosllav Ivanoviq ishte një nga rreth 40 gjyqtarët që u integruan në sistemin gjyqësor të Kosovës.
“Mbetet e papërcaktuar se si dhe çfarë do të bëjë departamenti. Mund të kryejë disa hetime paraprake. Në parim, lind pyetja nëse edhe kjo është në rregull, por në praktikë është e mundur. Përtej kësaj, dyshoj se mund të ketë diçka tjetër”, thotë Ivanoviq.
Sipas ligjit të propozuar, parashikohet që pagat e këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve të rriten për 50 për qind.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse prokurorët dhe gjyqtarët që kanë dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor i Kosovës, do të caktohen në prokuroritë speciale dhe departamentet e gjykatave.
Mbrojtje apo pasiguri ligjore?
Në shpjegimin e projektligjit thuhet se ai është miratuar me qëllim të mbrojtjes më të mirë të të drejtave të njeriut, të cilat, siç pretendohet, shkelen dhe mohohen nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Jovana Spremo, nga Komiteti joqeveritar i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YUCOM), thotë se ka një varg pyetjesh të hapura që krijojnë pasiguri juridike.
Një nga ato, sipas saj, është se si do të trajtohen përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës – si zyrtarë apo si persona fizikë?
“Besoj se shumica e lëndëve para institucioneve të themeluara me këtë ligj – nëse jo të gjitha – do të jenë, në fakt, raste që gjykohen në mungesë”, thotë Spremo.
Sipas saj, nuk është e qartë nëse masa është shpallur si e përkohshme dhe përse është marrë periudha nga shpallja e pavarësisë e këndej, e jo, për shembull, nga dalja e serbëve nga institucionet gjyqësore të Kosovës.
Në fillim të nëntorit të vitit 2022, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës, por edhe nga komunat në veri, duke kërkuar tërheqjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe respektimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Miftaraj: Ngritje e institucioneve të reja paralele
Ehat Miftaraj, nga Instituti joqeveritar i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se qasja e re e Beogradit “ngjan me krijimin e strukturave të reja paralele, me bazë në Beograd”.
Megjithatë, ai thotë se zbatimi i atij ligji – edhe nëse miratohet – do të jetë praktikisht i pamundur, për shkak se Serbia nuk ka kontroll mbi territorin e Kosovës për më shumë se 25 vjet.
Sipas tij, asnjë vend i BE-së apo i Ballkanit nuk do të arrestojë dhe ekstradojë zyrtarë të Kosovës bazuar në atë ligj.
“Mirëpo, kjo qasje e re e Serbisë mund të shfrytëzohet për përdorim të brendshëm dhe si një perceptim i rremë se Serbia ende mund të ketë çfarëdolloj autoriteti ndaj Kosovës”, thotë Miftaraj.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë acaruar që nga fillimi i vitit, kur autoritetet në Prishtinë kanë filluar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri, duke i konsideruar ato si jokushtetuese dhe të paligjshme.
Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Kosovën për, siç i ka cilësuar, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri të vendit.
Top Channel