Për tri orë qarkullimi i makinave në gjashtë akset kryesore të vendit ishte i paralizuar prej protestës së organizuar nga opozita.
Mbështetës të opozitës, së bashku me deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë bllokuan qarkullimin e makinave, duke lejuar vetëm ambulancat të kalonin.
Situata më e tensionuar ishte në Tiranë, Rrogozhinë dhe Bradashesh.
Në ish-sheshin Shqiponja, Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka së bashku me deputeten Albana Vokshi u përplasën fizikisht me policinë.
Në Bradashesh dhe Rrogozhinë protestuesit u përplasën me qytetarët të cilët mbetën të bllokuar me orë të tëra në rrugë.
Nga ana tjetër, në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, Tiranë dhe Milot u dogjën goma nga protestuesit.
Në fund të protestës, Noka paralajmëroi vijimin e protestave duke thënë se “vijon mosbindja civile”.
12 persona janë shoqëruar në komisariat pas tensioneve në Bradashesh.
Ata janë: Hamza Lamce, Arben Pjetri, Agron Beqiri, Hamit Tabaku, Altin Bica, Edi Pojani, Albi Bylykbashi, Aurel Bylybashi, Sokol Shkelzeni, Daniela Gjini, Dorian Koldashi dhe Enver Lamçe.
Top Channel