Strategjia për turizmin/ Plani i qeverisë, mbështetje financiare stafit edhe pas përfundimit të sezonit veror

27/10/2024 12:13

Themelet e draft strategjisë për Shqipërinë turistike deri në vitin 2030 propozohet të jenë “turizmi i qëndrueshëm”.

Në dokumentin e nxjerr për konsultim publik, Ministria e Turizmit hedh idenë e krijimit të një programi të përhershëm për punësimin sezonal, duke menduar mbështetjen financiare të stafit edhe pas përfundimit të sezonit veror.

“Për të mundësuar mbajtjen e forcës punëtore, si dhe për të mbështetur punonjësit sezonalë dhe për të siguruar stabilitetin e tyre financiar gjatë të gjithë vitit, është e rëndësishme të zbatohet një masë që ofron përfitime të vazhdueshme nga punësimi dhe mbështetje financiare gjatë periudhave jashtë pikut”, thuhet në draft strategjinë kombëtare të turizmit 2024-2030.

“Kjo do të ishte një arritje për turizmin. Një hap i rëndësishëm për të mbatur të rinjtë në Shqipëri. Teksa është fakt që ka një rritje të programeve për turizmin në universitetete sidomos në qytete bregdetare, apo shtimi i shkollave profesionale. Por stimulimi i të rinjve me pagë jashtë sezonit është pozitive, pasi problem më i madh i turizmit në Shqipëri ka qenë shërbimi dhe punonjësit jetëgjatë”, shprehet ekspertja për turizmin, Flora Xhemani.

Nëpërmjet hartimit të një udhëzimi kërkohet të caktohet një kompensim i përshtatshëm për punonjësit në turizëm kur nuk janë duke punuar në mënyrë aktive, kosto e cila do të mbulohet nga qeveria jashtë sezonit. Në draft strategjinë kombëtare vihet kusht edhe specifikimi i kohëzgjatjes së masës, ku një shembull propozimi është që koha e ofrimit të mbështetjes financiare të jetë deri në 6 muaj. Por ekspertët teksa vlerësojnë këtë nismë, sugjerojnë që shuma të jetë e konsiderueshme për ti nxitur shqiptarët të jenë besnik në turizëm.

“Paga nuk duhet të jetë qesharake, të paktën mendoj se duhet të jetë sa paga minimale. Kjo do i motivonte të rinjtë të qëndronin në një biznes edhe në dimër”, thotë Xhemani.

Ndihma ekonomike mendohet të përfitohet vetëm nëse subjektet turistike garantojnë ripunësimin e punonjësve në sezonin pasues.

Veç aspektit ekonomik në draftstrategji ku janë prioritet investimet, ngritja e kapaciteteve, menaxhimi i destinacioneve, për ekspertët nevojë për ndërhyrje të menjëhershme ka në disa shërbime sociale bazike.

“Në hotele ende nuk ka furnizim 24 orë me ujë por me depozita. Transporti publik është problem. Mendoj se përveç investimeve në infrastrukturë duhet të përmirësohet mbi të gjitha performanca e shërbimeve”, shton ekspertja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA