Jurgis Çyrbja nuk tha asnjë fjalë pasi doli nga Prokuroria e Posaçme një ditë më parë, por 24 orë në vonë ligjvënësi socialist dërgoi në kuvend shkresën për dorëzimin e mandatit të deputetit.
Arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë hap mbeten ende mister, ndërsa vendin e tij në Parlament pritet ta marrë socialisti Erjon Meka.
Jurgis Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 2017, ai u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e Partisë Socialiste. Ndërsa në vitin 2021 rezultoi i treti më i votuar i qarkut te Durrësit me 6583 vota.
Pavarësisht qëndrimit të rezervuar të deputetit socialist, për arsyen përse u thirr në SPAK dhe më pas për lënien e mandatit, fakt publik mbetet një denoncim publik i demokratëve ndaj tij, i tre viteve më parë ku pretendohet se Jurgis Çyrbja si drejtues i hipotekave të Durrësit në atë kohë firmosi brenda të njëjtës ditë dy praktika të ndryshme për një pronë dhe qe sipas kallëzuesve shkaktoi mbivendosje.
Top Channel