Tri orë zgjati protesta kombëtare e opozitës me moton “mosbindje civile”.
Flakët, përplasjet me policinë dhe fishekzjarrët mbizotëruan në protestën e cila nuk ishte e stacionuar vetëm në një institucion, por demokratët me mbështetësit e tyre u vendosën në disa institucione.
Protestuesit kanë marshuar nga selia blu drejt Kryeministrisë, selisë së PS, Ministrisë së Brendshme, bashkisë së Tiranës dhe Kuvendit, duke hedhur molotovë dhe fishekzjarrë.
Ishte dënimi me 1 vit burg i Ervin Salianjit që nxiti opozitën për nisjen e një vale protestash dhe bojkoti në komisione e Kuvend.
Dy seancat e fundit në Kuvend u shoqëruan me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.
Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik.
Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet.
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor, ora 14:00, për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit Ervin Salianji, për pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg.
Top Channel