Fjalimi i presidentit të Argjentinës në OKB akuzohet si i kopjuar nga seriali politik ‘West Wing’ (fotot)

04/10/2024 17:39
Milei majtas, dhe presidenti i filmit West Wing (djathtas)

Havier Milei akuzohet se ka kopjuar fjalë për fjalë një monolog të personazhit të presidentit në serialin e njohur politik amerikan ‘The West Wing’.

Bëhet fjalë për një pjesë të fjalimit të fundit të presidentit ‘të djathtë’ në Kombet e Bashkuara, zbulojnë mediat opozitare në Argjentinë.

“Duket si e pamundur por në fakt është e vërtetë,” shkruante rrjeti i majtë i Buenos Aires ‘Página 12’, duke pretenduar se Milei kishte “kopjuar fjalë për fjalë monologun nga aktori që luan rolin e presidentit Josiah “Jed” Bartlet.

Dyshimet për plagjiaturën e Milei erdhën prej fillimit të javës kur gazetari vendas Carlos Pagni sinjalizoi ngjashmëri “të jashtëzakonshme” mes fjalëve të presidentit dhe atyre të aktorit Martin Sheen në filmin e 21 viteve më parë. “A ka njeri tjetër që e ka vënë re?” shkruante Pagni në rrjetin La Nación, duke renditur fjalët e të dyve.

Presidenti flokëgjatë argjentinas tha në OKB më 24 shtator: “ne besojmë në mbrojtjen e jetës së të gjithëve. Ne besojmë në mbrojtjen e pronës së të gjithëve. Besojmë në lirinë e fjalës për të gjithë. Besojmë në lirinë e besimit për të gjithë … sepse sot ajo që ndodh në një vend ka pasoja të shpejta dhe në vendet e tjera, besojmë se njerëzit duhet të jenë të lirë nga tirania e shtypja, qoftë edhe shtypje politike, skllavëria ekonomike apo besimi radikal. Kjo ide themelore nuk duhet të jetë vetëm fjalë – por duhet mbështetur me vepra: diplomatikisht, ekonomikisht e materialisht”.

Në episodin 15 të serialit mbi qeverinë e Uashingtonit, personazhi i presidentit Bartlet i thotë stafit të tij: “Ne jemi për lirinë e fjalës për të gjithë. Jemi për lirinë e besimit për të gjithë, për lirinë e të mësuarit për të gjithë. Sepse në kohën tonë mund të ndërtosh një bombë në një vend, dhe ta sjellësh në një vend tjetër, prandaj ajo që ndodh në vendin tënd është edhe puna ime. Ne jemi për lirinë nga tirania, kudo në botë, qoftë nën maskën e shtypjes politike, skllavërisë ekonomike apo fanatizmit fetar. Kjo ide themelore nuk arrihet vetëm me mbështetjen tonë por duhet arritur me forcë diplomatike, ekonomike e materiale”.

Ngjashmëritë mes dy fjalimeve kanë sjellë dyshime por një gazetë vendase justifikohej se strategu politik i Milei, Santiago Caputo, “është i fiksuar me serialin West Wing”.

Kjo nuk është hera e parë që liderët e vërtetë frymëzohen nga fjalët e atyre të trilluar në filma, siç ka ndodhur me politikanin argjentinas Alejandro Torres që bënte fushatë me fjalët e presidentit në filmin amerikan ‘Independence Day’.

Gjithashtu në 2017, politikani meksikan Miguel Ángel Covarrubias u akuzua për kopjim të linjave nga seriali House of Cards. /The Guardian/

FOTO GALERI
2/3
Aktori Martin Sheen në filmin e 21 viteve më parë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA