Fiks Fare/ “Gurë Berati në Peshkopi”, si dështoi projekti 1 milionë euro. Hidhen 2.2 milionë të tjera!

03/10/2024 20:40

Në vitin 2016, Bashkia e Dibrës investoi për rehabilitimin e Bulevardit “Elez Isufi”, në të ashtuquajturën “Rilindja Urbane”. U shpenzua 1 milionë euro për rehabilitimin e këtij bulevardi, i cili përfundoi së ndërtuari në vitin 2017.

Por, vetëm 8 vite nga ky investim dhe 7 vite nga ndërtimi, bulevardi është prishur. Pllakat e gurit janë prishur, janë krijuar gropa, kanë lëvizur nga vendi.

Fondet u akorduan nga qeveria, e cila në vitin 2014 për Rilindjen Urbane. Projekti u shtri në të gjitha bashkitë, ku konsistonte në rikonstruksionet e shesheve dhe fasadave kryesore të qyteteve. I gjithë projekti kapi shifrën e 2 miliardë eurosh në të gjithë Shqipërinë.

Fiksi bisedoi me dhjetëra banorë të Dibrës, të cilët thanë se investimi i vitit 2016 u prish që në vitin e parë. “S’e di kush e bëri projektin, por të marrësh pllaka nga Berati dhe t’i sjellësh në Dibër vetëm këta e bëjnë. Të dy qytetet janë kanë temperatura të ndryshme, e bënë për të vjedhur. Tani një shesh nuk mund të shkojë 7 a 8 vjet, por 80 a 100 vite. Këta vetëm me tendera, me lekë” pohojnë banorët.

Ndërkohë, pas kësaj gjendje, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender, tashmë me verë 2.2 milionë euro. Synohet që të rehabilitohet e gjithë gjatësia e Bulevardit, do të shtrohet me pllaka të reja. Tenderi është bërë nga FSHZH-ja dhe ka një afat 12 mujor, përfundon në korrik 2024. Ndërkohë, që projekti ka filluar së zbatuari.

“Këta e bëjnë vetëm për të vjedhur. Vetëm letra dhe tendera. Nuk e bënë mirë atë të parin dhe tani sërish. Para se të bëhet në 2016-ën, ishte bërë që para viteve ’90. Me asfalt, por asnjëherë nuk u prish” shtojnë banorët.

Në dokumentet e tenderit janë parashikuar për tu vendosur gurë bazalti, të merren në Torino të Italisë, Malit të Thatë dhe Bulqizë. Por, ata që po vendosen janë nga Lezha dhe Korça. Fiksi bisedoi me përgjegjësin e firmës “Sireta 2 F”, e cila ka fituar dhe tenderin nga FSHZH-ja. “E kemi filluar punën prej disa muajsh. Po bëjmë rehabilitimin e bulevardit dhe disa fasada. Ne këtu bëjmë vetëm zbatimin. Gurët e parë ishin thërrmuar dhe do të vendosim gurë të tjerë. Janë bërë analizat dhe këta që do të vendosen janë më të mirë” thotë përgjegjës Xhaviti.

Fiksi e pyet se në letrat e tenderit do të vendoseshin gurë nga Italia, Bulqiza apo Mali i Thatë. Përgjegjësi përgjigjet se “unë kam gurë nga Korça dhe Lezha. Këta më kanë ardhur dhe këta po vendos. I kanë zgjedhur para se të bëhej investimi”.

Fiksi bisedoi edhe me Elvis Mangën, drejtor Urbanistike në Bashkinë e Dibrës. Drejtori pohon se investimi i parë i bërë në vitin 2016 dhe finalizuar së ndërtuari në vitin 2017 nuk ka qenë funksional. “Gurët janë prishur dhe janë thërrmuar. Bashkia e Dibrës i ka dërguar një kërkesë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të bërë ndërhyrje, kërkesë e cila është pranuar” thotë ai.

Sipas Mangës, projektin dhe procedurat e tenderit i ka bërë FSHZH-ja, ndërkohë që Bashkia e Dibrës ka qenë vetëm përfituese. Fiksi e pyet për gurët, të tjerë në letra dhe të tjerë të vendosur. Ai thotë se është bërë një përzgjedhje dhe janë kërkuar gurë të fortë, që i përshtaten klimës së Peshkopisë. Sipas tij, gurët që po vendosen kanë kaluar edhe analizat përkatëse, por i ka bërë FSHZH-ja.

FOTO GALERI
4/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA