Pas episodit të dhunshëm që ndodhi dje në Kuvend me përplasje fizike dhe në djegie karrigesh, policia njofton se ka referuar çështjen në SPAK.
Flamur Noka do të hetohet jo vetën për veprën “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, por edhe “Goditjet për shkak të detyrës”, pasi gjatë një debati me deputetin socialist Peto Koçi, e gjuajti atë në dorë.
Edhe Gazment Bardhi do të hetohet për veprën “Goditjet për shkak të detyrës”, pasi hodhi sende në drejtim të kryetares së Parlamentit.
Bledion Nallbati po ashtu do të hetohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, bashkë me 20 deputetët e tjerë të opozitës, morën karriget e tyre në Kuvend dhe i vunë flakën në hyrje të institucionit.
Deputetët e tjerë që do të merren në hetim janë, Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Lefter Geshtenja, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa, Lindita Mataliaj, Dashnor Sula, Luan Baçi, Lodovik Hasani, Asllan Dogjani, Elidon Bushati, Erisa Xhixho, Sorina Koti, Sajmir Korreshi, Edmond Spaho, Kasem Mahmutaj, Vangjel Dule, Monika Kryemadhi dhe Isuf Çelaj.
“Ditën e djeshme, gjatë zhvillimit së seancës plenare, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, këta shtetas (deputetë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë) kanë kryer veprime të dhunshme duke dëmtuar foltoren e Kuvendit, kanë thyer një karrike dhe kanë hedhur në drejtim të Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, sende të forta (pjesë të karriges së thyer). Gjithashtu kanë djegur disa karrige, në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Materialet i kaluan Prokurorisë”-njofton policia.
Seanca e djeshme në Kuvend e cila zgjati vetëm 15 minuta, u shoqërua me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.
Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik. Ky aksion vijon pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për akuzën e kallëzimit të rremë. Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet që prej ditës së djeshme, ndërsa më 7 tetor do të nisë vala e protestave.
Top Channel