Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato ka reaguar pas incidenteve të ndodhura në Kuvend një ditë më parë.
Teksa u shpreh se ajo që ndodhi ishte për të ardhur keq, Gonzato bëri thirrje që të ulen tensionet dhe të shmangen sulme të tilla.
Në një demokraci funksionale si Shqipëria tha ai, pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoret dhunë.
“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin.
Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë“, tha ambasadori i BE-së në një reagim për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit.
Seanca e djeshme në Kuvend e cila zgjati vetëm 15 minuta, u shoqërua me tensione dhe përplasje të forta.
Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.
Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik.
Ky aksion vijon pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për akuzën e kallëzimit të rremë.
Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet që prej ditës së djeshme, ndërsa më 7 tetor do të nisë vala e protestave.
Top Channel