Gjekmarkaj ia thotë në sy Gonxhes: E trajtuat Kadarenë si shkrimtar të PS, s’e meriton të prehet në Tufinë. 2024 duhej të ishte viti i At Zef Pllumit

17/09/2024 13:40

Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj pati një përplasje me ministrin Blendi Gonxhe, i cili po raporton në Komisionin e Edukimit dhe Informimit këtë të martë.

Gjekmarkaj i tha Gonxhes se Ismail Kadare u trajtua si shkrimtar i PS dhe se ai nuk meriton të prehet në Varrezat e Tufinës.

Gjekmarkaj: Më emocionoi shumë fjala justifikuese e zonjës Kushi, por vë re një gjë, sa më pak serioze është Ministria e Kulturës aq më shumë njerëz merr me vete për ta konfirmuar paradoksin! Nejse nuk desha të merresha  me këtë po me një sensibilitet kulturor për aq sa zoti Gonxhe ndihet ministër kulture!

Në korrik u nda nga jeta mjeshtri i madh i letrave botërore Ismail Kadare! Ceremonia ndaj tij la shumë për të dëshiruar në shumëçka! Shkrimtari i shqiptarëve, i Europës i mbi 48 gjuhëve i përkthyer nuk ishte shkrimtari vetëm i PS ! Ikja e tij është një nga më të mëdhatë që në shekuj ka patur ky komb!

Vdekja e çdokujt meriton respekt, para saj jemi të gjithë të barabartë, por nuk jemi të tillë në kontribute e trashëgimi, nëse do të pyeteshin të gjithë njerëzit e jashtëzakonshëm e të zakonshëm , madje nëse shkojmë në mistike nëse bëhej një referendum i të gjallëve dhe të vdekurve të gjithë do binin dakord që Ismail Kadare nuk duhej të ishte në Tufinë sot! Mjafton vetëm rruga për ato varreza si në Kandahar për të na turpëruar kur një kamerë e huaj do i ngjitet asaj, jo thjesht për Ismail Kadarenë , po e po për atë por edhe për gjithë ata shqiptarë që prehen atje!

Kur shteti shqiptar, qeveria dhe ministria e kulturës do i gjejnë vendin e merituar Kadaresë, kur do te hapet një konkurs ndërkombëtar për vendin e tij e te përhershëm të prehjes? A ka një datë?

E dyta para pak ditësh ishte 100 vjetori At Zef Pllumit ! Në ministrinë tuaj nuk pat asgjë as një status hipokrit e mediokër siç ndodh rëndë! Ky duhej të ishte viti i At Zef Pllumit, por ju e keni të vështirë të pranonin në ndërgjegjen tuaj përmasën e jashtëzakonshme të autorit të “Rrno vetëm për me Tregue” të atij shqiptari që me memoriet e tij i dëshmoi qytetërimit tonë se çfarë është njeriu në tirani, kush qëndroi e kush u thye! E keni të gjithë ju të vështirë ta pranoni përmasën e fratit të kujtimeve sepse ai dëshmoi përgjithmonë krimet për të cilat askush nuk kërkon falje, askush nuk bën ndarjen etike!

Unë nuk kërkoj lufte klasash , nuk kërkoj fajin e gjyshërve e të baballarëve tek bijët por kërkoj reflektim tek ata, distancë morale. Duhej të ishte viti i At Zef Pllumit, duhej ribotuar vepra e tij, duhej sensibilizuar shoqëria edhe me për mesazhet e tij sepse tashme i përkthyer ne gjuhet e mëdha të botes edhe ai e ka tejkaluar vullnetin e burokrateve por janë burokratët ata që ia i bëjnë dem shoqërisë duke e privuar nga vlerat e veta sublime, duke i futur paaftësi e keqdashje komunikimit të tyre me shqiptarët!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA