Kombëtarja niset drejt Çekisë/ Të shtunën, ndeshja me Ukrainën për Ligën e Kombeve, transmetohet në Digitalb

05/09/2024 12:52

Përfaqësuesja shqiptare niset pasditen e sotme drejt Pragës ku është përcaktuar si fushë asnjanëse për të zhvilluar ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve e Ukrainën, vend i cili prej nisjes së luftës me Rusinë luan jashtë vendit të saj.

Kuqezinjtë në këtë start të një prej aktiviteteve të rëndësishme të futbollit të kontinentit do t’i duhet të përballet me shumë ndryshime krahasuar me kualifikueset dhe me finalet e Europianit, për shkak të mungesave dhe jo vetëm. Skuadra jonë kombëtare do të jetë pa disa prej lojtarëve të sajë kryesorë në këto dy ndeshje të para të muajit shtator, për Ligën e Kombeve.

Pa filluar grumbullimi, u dëmtua Armando Broja, i cili u zëvendësua më pas me Myrto Uzuninn, në ditën e parë të stërvitjes në Tiranë u dëmtua kapiteni Bert Gjimshiti që u rikthye tek skuadra e tij Atalanta dhe u zëvendësua me mbrojtësin e kombëtares U21, Adrian Bajrami, gjithashtu nuk do të jetë sërish Keidi Bare, mungon Ernest Muci për zgjedhje teknike, Arlind Ajeti vjen pas një dëmtimi të gjatë, ndërkohë që Enea Mihaj ka vetëm 48 orë me skuadrën, pasi mbërriti i fundit në këtë grumbullim.

Megjithatë, skuadra duket shumë e motivuar dhe paraditen e sotme a zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Tiranë përpara nisjes. Në Pragë pasditen e nesërme do të zhvillohet seanca e fundit zyrtare dhe konferenca e trajnerit e kapitenin përpara takimit. Ndërkohë të mërkurën kombëtarja ukrainase zhvilloi stërvitjen e parë me grupin e plotë në Pragë. Në kryeqytetin çek, aty edhe ku do të zhvillohet sfida e parë e vlefshme për Ligën B, të Nations League, mes Ukrainës dhe Shqipërisë, ishin për herë të parë nën urdhrat e teknikut Rebrov të gjithë lojtarët e thirrur për dy duelet e para.

Edhe skuadra ukrainase vjen me objektiva të qarta, atë për ta fituar grupin, ku bën pjesë edhe kombëtarja jonë, Republika Çeke dhe Gjeorgjia.

Rebrov në prag të sfidës së parë ndaj Shqipërisë foli me superlative për kuqezinjtë: “Mendoj se Shqipëria ishte shumë e pafat në shortin e Europianit, të gjithë kundërshtarët ishin të një niveli të lartë, në të gjitha ndeshjet ata mbrojtën mirë. Por në fazën kualifikuese, ata luajtën me shumë besim, ata kanë një lojë intensive. Të gjithë lojtarët luajnë në Europë, thuajse i gjithë ekipi titullar luan në kampionatin italian.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA