Përzgjedhja e mësuesve të rinj përfundon më 19 shtator, nuk mund të nisin punë që në ditën e parë të shkollës

03/09/2024 16:22

Në qendrën e shërbimeve arsimore deri më 19 shtator, 10 ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor organizohet testimi i kandidatëve për mësues, data të cilat pengojnë punësimin e tyre ku është nevoja para nisjes së mësimit sikurse kërkon ligji.

Vetë ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu dha urdhër që ditën e parë të shkollës çdo klasë të jetë e mbuluar me mësues e të mos ketë mungesa në asnjë lëndë, por pritja e listës përfundimtare të mësuesve të përzgjedhur që do të publikohet pas afateve të ankimimit, do të sillte mbylljen e shtatorit me mungesën e rreth 3000 mësuesve. Ndaj, Ministria e Arsimit ka bërë ndryshime në procedurat e punësimit, duke zhvlerësuar portalin e vitit 2024.

“Rezultatet e portalit Mësues për Shqipërinë zbatohet sipas këtij udhëzimi deri në momentin që zëvendësohen nga rezultatet e portalit vijues. Që do të thotë se rezultatet e portalit 2023 do të jenë të vlefshme deri sa të dalë renditja e kandidatëve të këtij viti”, tha ministrja.

“Procedura është e gjatë, po unë do e provoj çdo vit se jam në një punë tjetër, jo në profesion”, shprehet një kandidate.

Edhe pse me këtë ndryshim, shpëton vitin e ri shkollor, duke mundësuar staf të plotë pedagogjik në çdo shkollë të Shqipërisë, nga ana tjetër, të djegurit janë kandidatët për mësues të këtij viti, të cilët mbajnë shpresa se mos portali i 2023, lë ndonjë vend të lirë pune edhe për ta’.

Pra, kandidatët e fundit do duhet të presin për t’u bërë mësues, pavarësisht se u premtua ulja e kohës së punësimit duke lejuar të japin provimin e licensës në të njëjtën ditë me testin e informatizuar të portalit “Mësues për Shqipërinë”, ngërçi mbetet te nisja e vitit shkollor më 9 shtator dhe mosrakordimi për mbylljen e testimit të punësimit para nisjes së shkollës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA