Medalja e parë Olimpike e marrë nga sportistët shqiptarë në Paris 2024 përfshirë në debat kryeministrin Edi Rama dhe paraardhësin e tij, Sali Berisha për faktin nëse ishte kjo apo jo medalja e parë në një kompeticion Olimpik. Lidhur me medaljen e parë shqiptare në një Olimpiadë, gazetari i njohur Besnik Dizdari ka shkruar në shtator 2012, ku ka dhënë fakte se Ymer Pampuri nuk ka qenë kampion olimpik.
Pas marrjes së medaljes së bronzit nga rusi i Osetisë që përfaqësonte Shqipërinë, Cherman Valiev, në mundje, kryeministri Rama tha se kjo është e para medalje olimpike që merr Shqipëria falë sportit të rilindur tashmë.
“Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit; për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës me flamurin kuqezi; si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë”, shkruante Rama.
Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ish-kryeministrit Berisha, i cili teksa përshëndeste medaljen e bronzit të Valiev, theksonte se në fakt medalja e parë e Shqipërisë ishte marrë në peshëngritje në Mynih 1972 nga Ymer Pampuri.
“Kreu i piramdës së mashtrimit Edi Rama paraqiti medaljen olimpike të Valiev si medaljen e parë në historinë e vendit. Këtij njeriu që shet injorancë, neveri dhe gënjeshtra nga mëngjesi në darkë dikush duhet t’i kujtojë se peshengritesi legjendë, Ymer Pampuri u kthye nga Olimpiada e Mynihut 1972 me medalje të artë!”, shkruante Berisha.
Deklaratave të Berishës, Rama iu përgjigj paraditen e sotme. “Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme duke dalë i pari në stilin e forcës (asokohe kishte tre stile gara e ngritjes së peshave), por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara. Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike”.
Lidhur me Olimpiadën e vitit 1972 ka shkruar edhe gazetari i njohur sportiv, Besnik Dizdari në 4 shtator 2012.
Pjesë nga shkrimi i Dizdarit:
Është gabuar rëndë, tepër rëndë në gjithë muajin e fundit, duke e quajtur Ymer Pampurin Kampion Olimpik! Madje, si studiues i këtyre punëve, që shpesh më fort se ndonjë zotësi të veçantë, kërkojnë thjesht ndërgjegje profesionale, them se nuk është gabuar, por është bërë faj. Është bërë faj historik pra, deri aty, saqë një sportist shqiptar, i cili ka zënë vendin e 9-të në Lojërat Olimpike të Mynihut, vazhdojnë ta quajnë Kampion Olimpik! Ndodh me Ymer Pampurin, i cili në Olimpiadën e Mynihut jo vetëm që nuk ka qenë Kampion Olimpik, por nuk ka qenë as Nënkampion Olimpik, as fitues i vendit të tretë (medalje bronzi). Madje, nuk është renditur as i katërti, as i pesti, as i gjashti, as i shtati, as i teti, por vetëm i 9-ti! E megjithatë e kanë bërë Kampion Olimpik, çka përbën një ndër rrénat më të mëdha të historisë së sportit shqiptar. Sepse Ymer Pampuri është renditur vetëm i 9-ti në Lojërat Olimpike.
Dhe po i 9-ti është renditur në Olimpiadën e Barcelonës (1992) edhe peshëngritësi tjetër ynë i madh, Dedë Dekaj, të cilin nuk e përmend më askush, si dhe peshëngritësi Briken Çalja në “Londra 2012”. Kur ndërkaq, dihet fort bukur se më mirë se Ymer Pampuri deri më sot në të gjitha Olimpiadat që ka marrë pjesë Shqipëria, janë renditur radhazi: peshëngritësi Ilir Suli i 5-ti (Sidney 2000), mundësi Elis Guri i 8-ti (Pekin 2008) dhe Romela Begaj e 6-ta (Pekin 2008). Çka do të thotë se renditje më të lartë olimpike se Ymer Pampuri në Olimpiadat kanë e pakta tre olimpistë të tjerë shqiptarë: Ilir Suli, Romela Begaj dhe Elis Guri.
Ndërkohë që, ashtu siç i përsëritet nxënësit të klasës së parë, po përsërisim se Pampuri me renditje të barabartë me dy të tjerët që po ashtu si ai kanë zënë vendet e 9-ta në Olimpiada (Dedë Dekaj dhe Briken Çalja), së bashku me këta ai renditet i katërti midis pjesëmarrësve shqiptarë në Lojërat Olimpike. Pa harruar ndërkaq, se edhe Majlinda Kelmendi, për ata të cilët marrin vesh sado pak nga renditjet olimpike, gjithashtu duhet konsideruar e renditur e 9-ta në “Londra 2012”. Me këtë mungesë ndërgjegjeje profesionale, gjithmonë gazetaria sportive shqiptare do të mbesë poshtë nivelit të gazetarisë tjetër, asaj josportive.
Top Channel