Vatra të mëdha zjarri janë shfaqur prej 3 ditësh në Malin e Thatë kryesisht në territorin Maqedonisë.
Por, së fundmi ditën e sotme flakët e përmasave të mëdha kanë kaluar dhe në territorin shqiptar dhe rrezikojnë përhapjen në pyjet e parkut kombëtar të Prespës.
Dhjetëra punonjës të zjarrfikëses, zonave të mbrojtura dhe bashkisë së Pustecit janë angazhuar për të mbajtur në kontroll flakët që po i afrohen zonës pyjore.
Sot më herët për të lokalizuar vatrat e zjarrit janë angazhuar edhe helikopter.
Sipas informacioneve paraprake momentalisht e përfshirë nga flakët është bimësia e ulët por era favorizon zjarrin i cili rrezikon të përfshijë sipërfaqe të parkut kombëtar të Prespës.
Veç trupave shqiptarë edhe përtej kufirit janë angazhuar shërbimet e shtetit fqinj.
Vatra e madhe që është aktive prej 3 ditësh në Malin e Thatë në afërsi të kufirit shtetëror me Republikën e Maqedonisë së Veriut rrezikon zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Prespës.
Operacioni për shuarjen e flakëve ka vijuar edhe sot.
Në terren kanë qenë forca nga Bashkia Pustec, Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Reparti Ushtarak Drenovë (Korçë), Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, me mbështetjen e helikopterit Cougar dhe dy avionëve të dërguar nga pala maqedonase.
Mësohet se ky mision do të vazhdojë edhe nesër në mënyrë të organizuar me shumë forca nga i gjithë qarku për të ndërhyrë në zonën e prekur herët në mëngjes.
Top Channel