Rusia po përballet me numër të lartë të viktimave në luftën kundër Ukrainës në mesin e ofensivave të vazhdueshme përgjatë frontit midis Harkivit në verilindje dhe Robotinës në jug, sipas ekspertëve në Ministrinë Britanike të Mbrojtjes.
“Më shumë se 1 mijë ushtarë rusë ka të ngjarë të vazhdojnë të vriten çdo ditë gjatë muajit gusht”, ka thënë ministria britanike në vlerësimin e fundit të publikuar të shtunën.
Në rajonin e Harkivit, forcat ruse thuhet se kanë forcuar pozicionet dhe kanë ulur humbjet. Ndërsa një mesatare prej 1.262 ushtarësh rusë u vranë ose u plagosën çdo ditë në muajin maj, që është edhe rekordi i deritanishëm. “Shifra ra në 1.140 në qershor”, ka thënë Ministria.
Tre muajt e fundit ishin më të këqijtë për sa i përket humbjeve për Rusinë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, duke cituar informacione nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.
Ndërkaq, ushtria ukrainase ka njoftuar se ka shkatërruar një nëndetëse ruse me vlerë 300 milionë dollarë, që ishte ankoruar në një port në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Sulmi me raketa ukrainase ndaj kësaj anijeje ka ndodhur të premten në qytetin më të madh të Krimesë, Sevastopol. Megjithatë, shifrat dhe të dhënat e raportuara nga pala ukrainase nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
“Mbrojtja efektive e Ukrainës dhe mungesa e trajnimit rus zvogëlojnë aftësinë e Rusisë për të krahasuar çdo sukses taktik në përfitime më të gjera operacionale”, shtoi Ministria.
Top Channel