Kryeministri Edi Rama komentoi kritikat ndaj tij në lidhje me ngritjen e Komisionit Antikorrupsion dhe komentet se po kontrollon Prokurorinë e Posaçme.
Rama: Gjithashtu, kthesën e sapo nisur në luftën kundër korrupsionit nga drejtësia e re, të cilën e solli në jetë forca udhëheqëse e partisë Socialiste dhe e falënderoj Fatmirin, sepse ai mban shënime gjithmonë dhe bëri historinë me vite dhe me iniciativa, nuk ra nga qielli. As u gdhimë ne një ditë e thamë hajde ta fusim edhe këtë, por ka qenë një bindje që e kemi diskutuar me Fatmirin, me Gramozin e me të tjerë aty, me Pandin natyrisht që është gjithmonë aty, që ne na takon të mendojmë për kohën që ikën. Këta vrasin kohë, vrasin shpresat, vrasin mundësitë, ne duhet të mendojmë për kohën që ikën. E prandaj nuk rëndësi nëse jemi në opozitë, duhet në aspektin e reformave shtetbërëse të bëjmë oferta sepse ato reforma shtetbërëse kërkojnë kohë, nuk janë çështje e një mandati apo e një pale, kërkojnë kohë.
Mirëpo me kë të flisje? Tha Fatmiri, “negociata me murin” dhe prandaj sot është për të vënë duart në kokë apo për të mbajtur barkun me dorë, zgjidhni e merrni ju që shikoni debate e që lexoni portale, sepse unë personalisht preferoj kur kam kohë për televizor, lajmet ndërkombëtare, ndeshjet e sportit, filma; që vihet në diskutim e nuk po flas për ata që ishin gjatë gjithë kohës e janë dhe sot e gjithë ditën pengesë e vendosur, por flas për njerëz që përpiqen të jenë seriozë e flasin çudira edhe për këtë projekt që folëm sot përsëri, sepse është në projekt themelor për Shqipërinë e 2030 dhe unë nuk dua t’i kushtoj sekonda atyre që thonë duan të vënë në kontroll SPAK, janë trembur nga SPAK, duan të sabotojnë SPAK, se këto janë broçkulla që ma ha mendja as në skeçet e estradave komuniste nuk do pranoheshin për humor se janë shumë të trasha, por atyre që në një farë mënyre e mendojnë seriozisht dhe thonë, po mirë, pse u kujtua Edi Rama, 11 vjet për të luftuar korrupsionin, c’punë ka Parlamenti me sistemin e drejtësisë, u them hapeni, përpiquni ta lexoni, është shumë i gjatë, shumë voluminoz raporti i skanimit të thelluar të Bashkimit Europian dhe aty janë faktet reale, janë faktet reale qoftë për sa është luftuar, qoftë për si është luftuar dhe qoftë për sa pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Europian që ne duhet ti plotësojmë deri në 2030 nëse duam të bëhemi anëtarë, janë për sistemin e drejtësisë, e dini sa janë? Janë më shumë se sa gjysma.
Atëherë, si mundet ne të mos marrim përsëri iniciativën, si mundet ne të mos krijojmë një kapacitet institucional që i mungon Shqipërisë dhe që i duhet pikërisht në këtë fazë, në parlament, një udhëkryq ku të gjitha rrugët e institucioneve bashkohen e ku të gjitha institucionet flasin, dëgjohen, ndërveprojnë koordinohen e Parlamenti i shqiptareve ua shpalos shqiptarëve. Ky është plani që duhet ta ndjekë çdo institucion.
Kush duhet t’ia thotë një pushteti të pavarur, apo një institucioni në sistemin e drejtësisë, shiko se je mbrapa me procesin. Skuadra kombëtare e Shqipërisë që shkon në Bruksel ka një mori përfaqësuesish që vijnë nga të treja pushtetet. Ata janë ta pavarur këtu. Vetëm Parlamenti mund ta bëjë këtë gjë. Ndërkohë që unë di të them një gjë. Këtë di ta them me siguri.
Lufta antikorrupsion me denoncime të përditshme e me baltë të përnatshme, që na bëhet nga i ziu, nga i bardhi dhe nga gjithë cirku i tyre me klounë e arusha që turren tek bashkia e Tiranës si tek torta e pavarësisë dhe në vend të tortës kafshojnë murin, me minj që dalin nga vrima si tigra syshqyer, nga presioni që i bën në stomak kaçkavalli i mykur, apo me qime prapanicash, të më falë prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarët e kiametit, nuk pi ujë me shqiptarët. Zero! Ne e kemi ndarë mendjen.
Lavdi zotit dhe popullit shqiptar, na u dha mundësia që mendjen e ndarë përpara se të kishim gjërat në dorë, të kishim në dorë që ta vinim në jetë dhe ti hynim detit në këmbë për të bërë atë që në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë. Nuk e ka pasur Shqipëria kurrë një sistem drejtësie që nga 1912 të pavarur nga pushteti politik dhe të aftë për të thirrur për shpjegim apo për të vënë nën hetime, apo për të ngritur akuza për personat lidhur me pushtetin politik. Nuk e ka pasur.
Kjo është ti hysh detit në këmbë. Kjo është ti shkosh me kokë, por jo si ata tek muret e bashkisë, por drejt të ardhmes me të gjithë fuqinë e dëshirës e të vullnetit për ta ndryshuar këtë vend realisht dhe të largosh duart, të largosh duart e pushtetit duke krijuar ti një grykë zjarri që mund të të godasë edhe ty. Ky është vullnet shtet bërës, kjo nuk është poezi, nuk është as artikull, nuk është as slogan. Ky është vullneti shtetbërës i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ka një arsye, kthehuni në kohë, që nga dita e lindjes së Partisë Socialiste këtu në këtë sallë e deri më sot dhe më tregoni një moment përtej të gjitha luhatjeve, gabimeve, dështimeve, çfarë të doni, kur Partia Socialiste ka mbajtur anën e gabuar në raport me interesin kombëtar. Një!
E po ju sjell vetëm shembullin kur tjetër kush ulërinte e i binte daulles së patriotizmit për Kosovën, por ja që na doli Partia Socialiste që mbështeti me të gjitha mjetet pavarësinë e Kosovës dhe është shumë e thjeshtë. Ne jemi këtu për të bërë ligjet një herë. Ne jemi këtu për të qeverisur sa më mirë. Ne jemi këtu për të bërë punë të mira. Ne jemi këtu për të qeverisur sa më mirë. Ne nuk jemi këtu për tu ruajtur nga hija e nga hijet. Kush ka fakte e prova për korrupsion, ka një adresë; tek SPAK. Edhe pse ia qaj hallin SPAK-ut se është bërë si ato kutitë postare të letrave anonime, është turrur gjithë mileti e bëjnë denoncime, por kjo është temë tjetër. Kush ka këtu në këtë parti llogari për të dhënë, për korrupsion, e ka adresën tek SPAK-u. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e thërrasin në atë adresë për të dhënë shpjegime, të shkojë, të japë shpjegime e të vazhdojë punën. Duhet të mësohemi dhe me këtë.
Do mësohen dhe ata që rrinë atje me kamera sikur po vijnë miss-et e po parakalojnë e do kuptohet që kjo është pjesë e sistemit. Të thirresh, të japësh shpjegime. Të tjerat, thoshte i bekuar at Gjergj Fishta, janë dokrra hini dhe shqiptarët Dokrrat e hinit i kanë qejf për muhabet por nuk i hanë për fruta të thata dhe lavdi Zotit dhe lavdi shqiptarëve që janë angazhuar në këtë parti apo që e mbështesin këtë parti, ne nuk jemi dhe as një dhe dy, s’jemi as 1000 e 2000, jemi 800 mijë njerëz.
800 mijë njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë, duan të bëhet Shqipëria plus dhe ata që tani do të votojnë nga emigracioni, ne duhet të synojmë 1 milionë. Kështu që, kush rri e numëron; ish ministri, e thirrën e bën, sikur numëron dëshmor edhe sikur po na mbyll rrugët se s’po kemi të tjerë, s’po kemi forca se na iku njeri, na ikën dy, na ikën tre. Unë them të shkojnë të bëjnë derman për syrin tek një hoxhë apo tek një prift se ne nuk i bëjmë dot derman, të shkojnë atje. E kanë bërë këtë punën e emrave, e keni parë nxjerrin lista siç kanë qenë dikur yjet e pashuar, dikur bëhej dhe një kronikë në radio në mos gaboj “Yje të pashuar” gjysmë ore dëgjoje pushkët, para partizan, në fund fare vritej njëri, binte dëshmor edhe këta yje të pa shuar çdo natë.
Merreni, merreni. Ne jemi 800 mijë! Dhe kjo nuk është lojë, kjo është një ndarje e madhe e një shapi të vjetër nga sheqeri kur thotë populli dhe kush e ka kujtuar se kjo është një dava ‘hajde se do kapen ca njerëz, do bëhet një lloj loje, pastaj do vihet kapaku, nuk ka idenë fare se çfarë është kjo, nuk e ka idenë, nuk e ka idenë fare se kjo është lufta më e madhe për shtetin e shqiptarëve. Më e madhja që për herë të parë mund ti thotë shqiptari vetes: që unë kam shtet kur është përfundimisht e qartë që ligji është i barabartë me të gjithë, je ministër, s’je ministër, je andej s’je këtej, ke qenë s’ke qenë, i ke futur duart nëpër xhepa këtij populli do shkosh të japësh llogari për xhepat.
Nuk ka asnjë rëndësi fare si c ‘është kur thonë: paraja s’ka ngjyrë epo dhe hajduti nuk ka ngjyrë. Njësoj janë. Prandaj atyre të shumtëve që na duan të mirën dua t’ju them se ne jemi këtu të bëjmë të pamundurën çdo ditë që ta bëjmë këtë vend krenarinë e çdo shqiptari jo vetëm për bukuritë, historitë, për trashëgiminë kulturore, për malet dhe për detet por edhe për shtëpinë e përbashkët të shtetit shqiptar. Ndërkohë që kujt na do të keqen, i them vetëm kaq: i kanë hapur vetes një punë shumë të sikletshme sepse që të na duash ne të keqen duhet të na dalësh përpara. Kur të na dalësh përpara duhet të llogarisësh që je i mundur, i mundur!
Top Channel