Dy persona janë vënë në pranga pasi mashtronin shtetas të ndryshëm në emrin e institucioneve vendore.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, për zbardhjen e një skeme mashtrimi për përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë, u vunë në pranga 35-vjeçari Shkëlqim Domi, dhe 37-vjeçari Saimir Sallaku, të dy banues në Shijak.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Shefik Kurti, 63 vjeç, banues në Itali.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaku, në bashkëpunim me shtetasin Shefik Kurti, më datë 14.07.2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Më datë 17.07.2024, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash, nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë. Ku këtë herë kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
Top Channel