Interpelanca/ Xhixho: Në shkolla ka profesorë që shpërndajnë drogë! Manastirliu: Pagat dhe kushtet e punës më të larta, verifikim për çdo drejtues

18/07/2024 13:29

Deputetja Erisa Xhixho thirri në interpelancë ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, për të adresuar problemet që sipas saj, ka sot sistemi shëndetësor.

Duke përmendur rezultatet e testit “PISA 2022” nga OECD, që tregonte një rënie të performancës së nxënies, krahasuar me vitin 2018, Xhixho u shpreh se “janë rezultate të një reforme të dështuar”. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë po abuzon me besimin e prindërve.

Nga ana tjetër, ministrja Manastirliu përmendi rritjen e pagave që mësuesit dhe edukatorët përfituan këtë muaj, ndërsa u shpreh se reformat dhe skema e re në arsim erdhi në përgjigje të rezultateve të PISA-s dhe krijon mbështetje në karrierën e arsimdhënësve, që bën të mundur një përmirësim cilësor dhe realizon rritje në shkallët e kualifikimit, duke nxitur dhe zhvillimin profesional të mësuesve.

Xhixho: A ka ministria një analizë të thelluar se përse erdhëm në këtë seancë. Përcjell këtu shqetësimin e mijërave prindërve që nuk kanë besim te shkolla. Është skandaloze si abuzohet me besimin e prindërve që përditë u flitet në tv për paketën në shkolla.

Në 2021 na futet pedofilët në shkolla, me skandalin në Berat dhe drejtorin e  Lushnjës. Tani shkollës ia besojmë njerëzve të drogës. Ne atëherë propozuam regjistrin e abuzuesve seksualë, sot nuk është funksional, duke lënë të pambrojtur fëmijët tanë. Qershia mbi tortë, ku profesori i artit shpërndante drogë, është alarmant. Asnjë masë ndëshkuese, ku në një vend evropian dorëheqja juaj duhet të ishte akti më normal. Sot mësuesit janë kthyer në burokratë letrash. Sukseset reale i treguan shumë qartë rezultatet e PISA-s.

Manastirliu: Të gjitha çështjet që ju parashtruat doja t’i prekja dhe të përmendja atë që ne jemi duke bërë për rritjen e cilësisë, mbështetjen e mësuesve, gjithëpërfshirjen e nxënësve në çdo skaj të vendit dhe masat që jemi duke marrë në reflektim të vlerësimeve ndërkombëtare. Një ndër çështjet që ju më ftuat nuk e cekët, se nuk ju pëlqejnë të vërtetat, sepse ajo që bëni është kapja e një rasti dhe përgjithësimi i tij, por dua të ndalem te trajtimi financiar i mësuesve që kulmoi këtë muaj me pagën mesatare të mësuesve që arriti 950 euro. Premtuam se do t’i rrisnim pagat e mësuesve me 40 për qind dhe këtë mandat e kemi bërë realitet. Do të vazhdojmë me mbështetjen. Përfitojnë mësuesit dhe edukatorët. Rritja e mësuesve do të jetë mesatarisht 18 mijë lekë në muaj.

Kemi ndërtuar një sistem të ri. Kjo skemë e re parashikon shpërblime për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit mjeshtër. Kjo skemë e re, që vjen në kuadër të zhvillimit profesional, krijon mbështetje në karrierën e tyre, që bën të mundur një përmirësim cilësor dhe realizon rritje në shkallët e kualifikimit, duke nxitur dhe zhvillimin profesional të mësuesve. Kjo do të ndikojë në orientimin efikas të nxënësve drejt karrierës. Skema ka bërë të mundur përfshirjen e universiteteve. Ndërtuam si një reagim ndaj vlerësimi i PISA-s një plan për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Të mos harrojmë që Shqipëria u prek nga tërmeti në 2019 që shkaktoi dëme të mëdha në disa shkolla dhe 50 për qind e nxënësve që morën pjesë në PISA vijnë pikërisht nga këto zona të prekura. Në uljen e performancës ndikoi edhe pandemia, duke dhënë rezultatet për të gjitha vendet. PISA është pasqyruese momentale, ndaj ne reaguam menjëherë përmes masave konkrete.

Folët edhe për disa tekste, ne po vlerësojmë efektet e kurrikulave të reja, po bëjmë modernizimin e kurrikulës, me qëllim nxitjen e mendimit kritik. Integrimi i teknologjisë dhe informacionit po ashtu është prioritet yni, kemi mundësuar që 300 shkolla të sigurojnë marrjen e njohurive digjitale për fëmijët që në klasë të parë.

Fakt që sot pagat e mësuesve janë më të larta, kushtet e punës po ashtu, mësuesit futen në punë nëpërmjet një portali, ku mësuesit aplikojnë direkt. Përmendët edhe disa ngjarje që ne i dënojnë. Ndaj, kemi përcaktuar masa konkrete, ku është vendosur që asnjë i dënuar nuk mund të rivendoset në arsim. Por, që mund të ketë drurë të shtrembër, na bën jo vetëm të reflektojmë, por për të kaluar në një filtër tjetër çdo përgjegjës në sistemin arsimor. Jo vetëm kemi marrë masë, por kemi ngritur edhe një sistem të verifikimit të çdo punonjësi.

Këtë vit janë regjistruar në portal 1969 mësues, lista e pritjes së mësuesve në portal është rreth 9000. Nuk mund të flasim për braktisje.

Xhixho: Të dhënat e PISA-s janë shumë të qarta dhe ulëritëse. Tregojnë se nëse një fëmijë futtë në shkollë për të rritur performancën, kemi një rënie drastike në lënda si kimia, fizika, matematike. Këto janë rezultatet e reformës suaj të dështuar. Epo një drejtor shkolle shpërndan drogë dhe nuk ka reagim nga MASH, kjo është pak të thuash papërgjegjshmëri. Pandemia ka qenë në të gjithë botën, nuk ka qenë vetëm një fenomen shqiptar. Dua t’ju kujtoj që ky test ka zbuluar edhe gjithë problematikën e mësimit online. Është katastrofike ai produkt që na vjen në gjimnaze. Flas si një kontribuuese prej 15 vitesh në sistemin arsimor, nuk flas aspak në linjë politike. Jam mësuar të flas me shifra dhe fakte. Universitetet janë kthyer me shumë në gjimnaze. 1 me 1 është biblioteka e Fakultetit të Drejtësisë ku unë jap mësim.sa larg jemi nga arsimi cilësor që duhet t’u ofrojmë nxënësve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA