Atentati ndaj Trump pjell dhjetra ‘teori konspiracioni’ që po tërbojnë rrjetin X (fotot)

16/07/2024 17:14

Fjalët ‘i inskenuar’, ‘deep state’ apo ‘antifa’ janë bërë më të klikuarat në rrjetin social X ku dhjetra versione e teori të ndryshme po jepen për atë që ishte në të vërtetë atentati kundër kandidatit presidencial amerikan Donald Trump.

Duket se teoritë e pazakonta, ashtu si ato për zhdukjen e princeshës Kate Middleton nga syri publik në fillim të vitit, janë bërë përmbajtje të zakonshme në rrjetin X që prej blerjes së tij nga miliarderi Elon Musk vitin që shkoi.

Kritikët thonë se Musk duhet të shmanget nga përmbajtjet pa prova apo dezinformuese, që kanë përfshirë të gjithë aktualitetin botëror, si garën elektorale në SHBA apo konfliktet e përgjakshme në Gaza e në Ukrainë.

Mijëra postime tregonin dje një nga letrat e lojës misterioze ‘Illuminati’ të publikuar në 1994: Atë të Rendit të Ri Botëror, teksa loja shpesh thuhet e ka parashikuar ngjarje të mëdha botërore si vdekja e princeshës Diana apo sulmet e 11 Shtatorit.

Një nga letrat e lojës tregon në fakt një fytyrë të ngjashme me Donald Trump që shoqërohet me mbishkrimin: ‘Kurdo e kudo që të jesh, snajperët tanë mund të të gjejnë. Kalofshi mirë”.

Krijuesit e lojës refuzojnë të pranojnë se ‘kanë njohuri për ngjarjet e të ardhmes’ por kartat e tyre kanë qenë prej kohësh objekt koleksionistësh prej lidhjeve me ngjarje të rëndësishme botërore.

Mes figurave që mbronin këtë teori në rrjetin X ishin dy kongresmenë amerikane Mike Collins e Marjorie Taylor Greene, si dhe senatori Tim Scott, shkruan rrjeti britanik Metro.co.uk.

Collins shkruante pa dhënë prova se ‘Joe Biden ka dhënë urdhër’ dhe bënte thirrje që presidenti të arrestohet për “nxitje vrasjeje”, ndërsa kongresmenia Taylor Greene shtonte se “demokratët kërkojnë prej vitesh të eliminojnë” Trump dhe janë të gatshëm për gjithçka.

Në përgjigje të reagimeve për reagimin e ngadaltë të rojeve të Trump, Elon Musk shkruante se ‘kreu i sigurisë së Secret Service duhet të japë dorëheqjen për inkompetencë”.

Ndërsa teoristi i njohur amerikan Alex Jones, nxiste Musk të ‘futet në bunkerin e tij’ teksa ajo që ndodhi sipas tij ishte një “grusht shteti direkt në TV nga Shteti i thellë”.

Koncepti i “shtetit të thellë” ose ‘Deep State’ që nënkupton një rrjet sekret të fuqishëm që kontrollon qeveritë,  përmendet shpesh në teoritë e Jones, i cili shpërndan teoritë e tij në rrjetin InfoWars.

Ai akuzonte gjithashtu shoqatën liberale anti-raciste amerikane ‘Antifa’ për sulme të inskenuara ndaj konservatorëve me qëllim sanksionimit e këtyre të fundit.

Jones shkruante : “Ju kam thënë prej muajsh se kërkojnë të vrasin Trump, si dhe mbështetësit e tij më të mëdhenj. Ata (shteti i thellë) do të përpiqen gjithashtu të vrasin Biden, për t’ia hedhur fajin një mbështetësi të Trump. “

Të tjerë përdorues thonin se eventi ishte një konspiracion i lëvizjes pro-trump QAnon, e cila pretendon se demokratët në SHBA janë “pjesë e një kulti botëror satanik që përfshihet në rituale gjaku e trafiku fëmiijësh”, ndërsa të tjerë pretendonin se demokratë të lartë kanë komplotuar me CIA-n për të realizuar tentativën e të shtunës mbrëma.

Grupe të majta (pro-demokrate) pretendonin se atentati është një inskenim i vetë mbështetësve të Trump, për t’i dhënë atij ‘përqindje simpatie’ dhe ‘pikë mbështetje’ para zgjedhjeve të nëntorit.

Ndërsa ekspertët bënin thirrje për përmbajtje në lidhje me informacionet e shpërndara në rrjet pasi ngjarja ishte në fakt serioze dhe jo për të bërë humor.

Graham Brookie, kreu i analistëve politikë  Atlantic Council shkruante në një postim: “Si në çdo ngjarje të papritur e të rëndësishme, ka një fluks informacionesh të paverifikuara ose të rreme, sidomos në rrjetet sociale, prandaj tregoni kujdes e simpati në përpunimin e informacionit teksa ngjarjet vijojnë të shpalosen”./Metro.co.uk//

FOTO GALERI
2/5
Aleks Jones eshte gjobitur per pretendimin e sulmet me arme ne shkollat e SHBA inkenohen nga shteti i thelle per te hequr armet private te qytetareve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA