“Komplot” kundër Orbanit? Politikani hungarez: Do ta rrëzojë njëri nga njerëzit e tij të afërt

05/07/2024 14:06

Por Peter Magyar, dikur pjesë e sistemit të Orbanit, është kthyer tani për shumë hungarezë në shpresën për realizimin e një ndryshimi, thotë DW.

“Me se ju bind Peter Magyar?” pyet reporteri i një portali hungarez të pavarur lajmesh një pensioniste në Budapest. “Ai nuk ka nevojë të më bindë. Orbani ka kohë që na e ka sjellë në majë të hundës!” përgjigjet gruaja.

“Magyar më ka bindur se në fund po del dikush që kërkon të bëjë një ndryshim.” Si kjo pensioniste mendojnë shumë hungareze dhe hungarezë këto ditë. Që kur Peter Magyar doli në skenën politike në muajin shkurt, vendi sundohet nga atmosfera e ndryshimit. Vërtet që partia nacionaliste e djathtë në pushtet, partia Fidesz (Liga e demokratëve të rinj) e kryeministrit Orban fitoi zgjedhjet për Parlamentin Europian që u mbajtën më 9 qershor, duke marrë 44 përqind të votave dhe duke treguar sërish se është forca më e madhe e vendit.

Por për Fideszin, ky rezultat ka qenë rezultati më i keq i marrë në zgjedhje që prej shumë kohësh. Ndërsa partia e Peter Magyarit, Partia Tisza (Respekt dhe Liri) doli nga me 33 përqind të votave, më mirë se kurrë më parë. Që kur Orbani morri pushtetin më 2010 në Hungari, çdo përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti ka dështuar keq. Edhe duke u bërë bashkë partitë e opozitës nuk arrijnë të formojnë shumicë për të mposhtur Fidesz-in. Por Magyar po e ndryshon situatën. Ka vite që në Hungari pëshpëritet se një ditë Orbanin do e rrëzojë nga karrigia një prej njerëzve që ka afër. Dhe Magyar është pikërisht një i tillë, ai vjen nga rrethi i ngushtë i Orbanit.

Juristi 43 vjeçar është edhe biznesmen dhe ka qenë martuar me ish-ministren e drejtësisë, Judit Varga. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në sistemin e Orbanit dhe ka qenë mik ose shok me disa nga funksionarët më të lartë të partisë së Fidesz-it. Që prej prezantimit të parë publik në shkurt të 2024-ës, ai e ka prezantuar veten si një lloj alternative më të pastër konservatore se sa ajo e Orbanit, si një njeri që ndan të njëjtat vlera si ato të Fidesz-it, por që nuk është i korruptuar. Magyari thotë: Unë jam Fideszi i vërtetë. Ka dy ndryshime midis Fideszit të sotëm dhe meje. Unë nuk vjedh dhe unë mbështes me forcë Bashkimin Europian.'”

Top Channel