Mbante armë të ftohta, dorashka e kapuça në makinë, arrestohet italiani në Portin e Sarandës

02/07/2024 14:22

Një shtetas italian është arrestuar në Portin e Sarandës pasi iu gjetën në automjet, disa armë të ftohta që i posedonte në kundërshtim me ligjin.

Shërbimet e SPK Port Sarandë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin italian M. M.

Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan disa armë të ftohta, dorashka dhe kapuça në formën e maskës.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin italian M. M., 46 vjeç, banues në Itali.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel