Nëpërmjet një dokumentari në Netflix, Ferran Torres lojtari i kombëtares së Spanjës dhe Barcelonës, tregoi për problemet me shëndetin mendor në të kaluarën.
Sulmuesi, theksoi se arriti në një pikë ku humbi motivin dhe se përtonte të shkonte në stërvitje. Torres, u shpreh se bashkëpunimi me një psikolog e ndihmoi që të linte pas problemet dhe të gjente sërish motivin për të vijuar karrierën.
“Unë mendoja se ato që njerëzit flisnin për mua nuk më ndikonin, por e vërteta ishte ndryshe. Humba motivin, dëshirën për të shkuar në stërvitje. Në këtë moment nisa të takoja një profesionist, një psikolog që më ndihmoi me shëndetin mendor.
Ai më mësoi si të diferencoja ato që kishin rëndësi dhe ato që nuk kishin rëndësi, mësova të menaxhoja veten kur gjërat shkonin mirë dhe kur ato nuk shkonin mirë. Futbolli ka një aspekt të rëndësishëm psikologjik, dhe unë duhet të jem në gjendjen e duhur për të luajtur shumë vite me Barcelonën”, u shpreh Ferran Torres.
Top Channel