Top Arena/ Largohemi nga Europiani me talente në çdo repart, me një të ardhme premtuese me apo pa Sylvinhon…

26/06/2024 07:24

Aventura e Kombëtares në europianin e Gjermanisë mbyllet pas 3 ndeshjeve, 1 pikë e fituar, 5 gola të pësuar, 3 të shënuar dhe me një peng të madh nëse mund të bënim më shume se aq.

Largohemi nga ky Europian me disa ndjenja të dyfishta, së pari duke pranuar që kundërshtarët ishin më të forte dhe nuk arritëm t’i përmbysnim parashikimet edhe pse ndërtuam disa pritshmëri ndoshta jo reale, por largohemi edhe me ndjenjën që nuk morëm maksimumin nga ky grup futbollistësh. Na mungon eksperienca e eventeve të mëdha, na mungoi zgjuarsia sportive për të shfrytëzuar ato që kundërshtarët na lejuan.

Europiani jonë do të mbahet mend për golin më të shpejtë të Bajramin që futet në historinë e këtij kompeticioni, do të mbahet mend për ndeshjen me Kroacinë kur zhvilluam një pjesë të parë të jashtëzakonshme dhe përveç golit të Laçit ai rast I Asllanit për t’a dyfishuar mund të kishte ndryshuar historinë tonë.

Do të mbahet mend edhe për atë black-out të 3-4 minutave kur kroatët na shembën të gjithë ëndrrat tona. Ndoshta ajo ndeshje me Kroacinë është pengu jonë më I madh në këtë kompeticion.

Të gjithë me të drejtë pyesim a mund të bënim diçka më shumë, a mund të bënte Sylvinjo diçka më mirë, polemikat për aktivizimin e pakët të Brojës, Muçit, Balliut te mosaktivizimi i Ismajlit dhe plot zgjedhje të tjera të Sylvinjos do na shoqërojnë gjatë në mendjet tona.

Edhe për trajnerin ishte një eksperiencë e re por nuk u ngrit dot në nivelin e eliminatorëve dhe fakti që nuk pësuam 3 ose 4 gola për ndeshje nuk mund të quhet një sukses.

Largohemi nga europiani me një ndjenjë që këtij grupi nuk i morëm maksimumin por largohemi edhe me përshtypjet që kemi një skuadër që në momente të caktuara luan si e barabarte me kundërshtarët e nivelit të lartë, pa ndjenjën e inferioritet që na ka karakterizuar për shumë dekada.

Largohemi me një skuadër me talent në çdo repart me një skuadër të re me shumë vend për t’u përmirësuar dhe me një të ardhme përpara shumë premtuese me ose pa Sylvinjon në stol.

Top Channel