Konstituohet Komisioni i Dezinformimit, opozita bojkoton mbledhjen/ Braçe: Presim kontributin e tyre

26/06/2024 09:27

Sot zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit të Dezinformimit, ndërsa opozita vendosi mos të merrte pjesë.

Kryetari i komisionit, Erion Braçe i bëri thirrje opozitës që të japë kontributin e saj.

“Opozitës i kemi lënë të njihet me Komisionin, presim kontributin e tyre”, tha Braçe.

Nga ana tjetër, kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi, theksoi se ngritja e këtij komisioni s’ka të bëjë me luftën partiake.

“Vërtet është nga ato komisionet qe nuk duhet parë si pjesë e luftës partiake mes mazhorancës dhe opozitës. Më vjen keq që koleget e opozitës ende sot nuk kanë shprehur gatishmerinë për të ardhur. Dizinformimi është një fenomen historik prej Egjiptit të Lashtë dhe deri më sot, madje deri në atë pikë sa kanë deformuar fakte historike. Ajo që na ul sot në këtë komision është shqetësimi që ka bota perëndimore demokratike se ky fenomen mund të cenoje vlerat tona demokratike”, tha Çuçi.

Në vijim të fjalës së tij, Çuçi tha se dizinformimi sot është një shqetësim që lidhet më së shumti edhe me zhvillimin e teknologjisë e që bota demokratike duhet t’i përgjigjet siç duhet me vendosjen e rregullave.

“Besoj se ky komision është gjeja më e domosdoshme që Parlamenti shqiptar duhet të bëjë një orë e më parë. S’duhet të ketë asnjë paranojë që ky komision do të ngrejë mazhorancën kundër lirisë së medias. Ne jemi këtu për të parë se si Shqipëria do t’i përgjigjet këtij shqetësimi.  A kemi rregullat e duhura që ndalojnë dizinformimin dhe sigurisht për të parë ambientin që mund të tentojnë të deportojnë vende jo mike të Shqipërisë, të cilët e kanë rritur vëmendjen ndaj Shqipërisë për qëndrimet tona pro perëndimore, deklaroi Çuçi duke iu bere thirrje kolegeve të opozitës të marrin pjesë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi se ndihet e keqardhur për mungesën e opozitës dhe i bëri thirrje për të qenë prezente.

“Mjetet e komunikimit shpërndajnë lajme dhe informacione mbi atë që ndodh në botë. Distanca në këtë botë, është e vogël. Këto transformime janë shumë të mira, por ka raste që këto burime informacioni mund të dezinforojnë dhe mund të çojnë drejt dhunës dhe konfliktet. Ndërkohë, në disa raste këto burime dhe influenca janë rrezik real për institucionet demokratike.”, tha Nikolla.

Rendi i ditës i Komisionit të Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”:

1. Konstituimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

2. Njohja me aktet që rregullojnë ngritjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm:
Vendim nr. 40, datë 11.04.2024, i Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Vendim nr. 52/2024, datë 06.06.2024, i Kuvendit “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Kuvendit, ngritur me

Vendimin nr. 40/2024, “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të mbikëqyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit””.

Urdhër nr. 350, datë 24.06.2024, i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, “Për ngritjen e njësisë mbështetëse pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

3. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për përfaqësimin e institucioneve të administratës publike, institucioneve të pavarura, si dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese, me përfaqësues/ekspertë me përvojë në fushat përkatëse, në përmbushje të qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.

4. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për ftesë publike për bashkëpunim dhe ekspertizë nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe vende të tjera të interesuara, si dhe ekspertë vendas dhe/ose të SHBA-së, BE-së, NATO-s, me përvojë në fushat përkatëse, në përmbushje të qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.

5. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për ftesë publike drejtuar organizatave të shoqërisë civile, instituteve, botës akademike vendase apo të huaj, për bashkëpunim dhe ekspertizë sipas qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.

6. Shqyrtimi dhe miratimi i Projektvendimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, “Për ftesë publike drejtuar organeve të medias audiovizive, medias së shkruar dhe asaj elektronike, për të kontribuar në përmbushje të qëllimit, objektit dhe fushëveprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar”.

Top Channel