Pas 40 vitesh në Kongresin amerikan, Nancy Pelosi njofton dorëheqjen në fund të mandatit Pesë ditë pas një rezultati jo të mirë të konservatorëve në zgjedhjet për PE, megjithëse përsëri kryesojnë, kryeministri grek dhe lideri i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis reformatoi qeverinë e tij, në një përpjekje për tu treguar grekëve se ka marrë mesazhin nga kutia e votimeve.
Ai ka ndryshuar 5 ministra, katër prej tyre kanë dalë jashtë skemës qeveritare, ndërsa një ka ndryshuar portofol. Por gjithashtu edhe 7 zëvendës ministra nuk janë më pjesë e kabinetit qeveritar. Ndërkohë ka mbajtur ministrat e tij të jashtëm dhe të financave për të treguar vazhdimësinë e politikës.
Midis ndryshimeve kryesore bie në sy zëvendësimi i ministres së Brendshme pas skandalit të rrjedhjes së e-maileve të grekëve homogjenë dhe vendin e saj e merr zoti Theodhoros Livanios.
Gjithashtu ish-ministri i Rendit, Takis Theodorikakos merr Ministrinë e Zhvillimit. Zëvendësohet edhe ministrja e Punës NGA Zonja Nikis Kerameos, bashkë me zëvendës/ministrin e këtij dikasteri.
Në krye të ministrisë së emigracionit vjen ish ministri i Mbrojtjes Nikos Panajotopoulos, ndërsa zëvendësohet gjithashtu ministri i Zhvillimit Rural nga Kostas Tsiaras.
Edhe postin e zëvendësministrit të Maqedonisë dhe Trakës, ministri me qendër në Selanik për arsye kuptimplote, e merr Kostas Gjulekas, një politikan i njohur edhe në Shqipëri.
Demokracia e Re humbi më shumë se 13 pikë ose gati 1 milionë vota brenda 10 muajve, në zgjedhjet e së dielës, kur edhe mospjesëmarrja shënoi një rekord prej vitit 1974, ç’ka interpretohet si zhgënjim i grekëve nga politika dhe kryesisht edhe nga politika qeveritare.
Mitsotakis me këtë lëvizje kërkon të përmirësojë veprën e qeverisës së tij në ato poste nevralgjike ku shprehen edhe pakënaqësitë e qytetarëve si efikasiteti i dobët ndaj shtrenjtësisë dhe rënies së nivelit të jetesës, problemet në sektorin e bujqësisë, kriminaliteti, mungesa e fuqisë punëtore , emigracioni dhe rritja e fuqisë të së djathtës ekstreme sidomos në Greqinë e Veriut, ndaj dhe shumë prej anëtarëve të rinj vijnë nga kjo zone dhe nga prefektura të ndryshme të vendit.
Pas betimit të ministrave dhe zy/ministrave të rinj pasditen e së premtes, mëngjesin e së shtunës është planifikuar mbledhja e pare e kabinetit të ri.
Top Channel