Kombëtarja shqiptare ka vijuar me përgatitjet në kuadër të ndeshjes së parë në Kampionatin Europian ndaj Italisë. Kuqezinjtë sot kanë zhvilluar vetëm një seancën stërvitore në kampin bazë në Kaiserau.
Të gjithë lojtarët kanë punuar për më shumë se një orë e 30 minuta nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo. I gjithë grupi është në gjendje shumë të mirë dhe nuk ka probleme fizike për asnjë lojtar.
Ndërkohë në konferencën për shty të ditës së mërkurë ishte Qazim Laçi, i cili tregon rreth këtyre ditëve të përgatitjeve të fazës finale të Europianit.
“Kemi punuar shumë mirë, organizimi është shumë i mirë nga stafi e federata. Kemi punuar shumë mirë dhe vazhdojmë të punojmë që të jemi gati për ndeshjen me Italinë. Kush do të jetë titullar e vendos trajneri, të gjithë lojtarët janë gati e po punojnë shumë fortë, nëse luajmë nga minuta e parë apo luajmë vetëm një minutë nuk ka rëndësi, të gjithë jemi në dispozicion të trajnerit”-shprehet Qazim Laci, futbollist i kombëtares.
Të enjten skuadra do të kryejë seancën e radhës stërvitore, ndërsa të premten kuqezinjtë do të mbyllin përgatitjet për ndeshje e parë me Italinë, që do të luhet të shtunën në ora 21:00, në stadiumin e Dortmundit.
Top Channel