DETAJET/ Në tentativë për t’u arratisur drejt Anglisë, si policia arrestoi vrasësin e recepsionistit në Dhërmi, në aeroportin e Korfuzit

06/06/2024 19:40

Gerlad Shehu, autori kryesor i dyshuar për vrasjen e recepsionistit të hotelit “Greccia” në Dhërmi u arrestua në Greqi, në tentativë për t’u arratisur drejt Anglisë.

Sipas gazetarit të Top Channel, Artur Bibe, policia e pikasi në momentin kur ai po merrte një biletë për në Londër në aeroportin e Korfuzit.

Ai tashmë ndodhet në policinë e Korfuzit, ndërsa pritet një urdhër për ta sjellë drejt vendit tonë.

Sipas informacioneve, autori ka kaluar nga Qafë Bota dhe makina e tij me targa angleze është lënë në lagjen nr.4 afër Portit, pra sipas informacioneve, dyshohet se dikush e ka ndihmuar duke e dërguar në Qafë Botë.

Si ndodhi ngjarja? 

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Dhërmi, ku recepsionisti i një hoteli është vrarë me armë zjarri pak minuta pas mesnatës, rreth orës 00:30.

Viktima është Eraldo Nevruzi, 31 vjeç nga Tirana. Ndërsa autori është identifikuar si Gerald Shehu, nga Tepelena, banues në Angli. Shehu është bashkëpronar i hotelit ku ndodhi krimi.

Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin  në një nga dhomat e hotelit dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Ai dyshohet se doli nga hoteli rreth orës 01:00.

Dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.

I plagosuri vijon ende i zhdukur dhe nuk rezulton i paraqitur në asnjë prej spitaleve. Mësohet se çdo sezon veror autori i dyshuar shkonte në Dhërmi, kurse pjesën tjetër të vitit qëndronte në Angli.

Hoteli ishte një biznes familjar, ku bashkëpronarë ishin vjehrri dhe autori i dyshuar, dhëndri dhe të afërm të tjerë që merren me menaxhimin.

Top Channel