Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua gara e vrapimit “Run for Autism”, kushtuar ndërgjegjësimit për Autizmin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se një qytet i mirë, i pranon të gjithë, pa diferenca.
“Secili prej nesh ka sfidat e tij, e ca mund të kenë më shumë sfida sesa të tjerët. Ndaj, ëndrra ime është për një qytet ku njerëzit besojnë në Zotin që duan, të duan personin që duan, dhe sfidat t’i zgjidhin në mënyrën sesi ata e shikojnë më të arsyeshme, sepse vetëm një qytet që i pranon të gjithë, pa bërë diferenca, është një qytet i mirë. Më vjen mirë kur shoh se si fëmijët sillen në çerdhe, në kopshte, në klasat fillore, pa qenë diskriminues, e përqafojnë njëri-tjetrin ashtu siç janë”.
Gara u organizua për të dytin vit radhazi nga Ambasada e Italisë në Tiranë, në kuadër të “Javës së Kulturës Italiane”. Po ashtu në kuadër të kësaj jave, do zhvillohen një sërë aktivitetesh në Tiranë.
“Në këtë javë të kulturës italiane do të ketë filma, kemi koncertin e Diodato-s, do të ketë pritje, aktivitete nga më të ndryshmet, por unë besoj se aktiviteti më i bukur është të vrapojmë për autizmin, sepse na bën të gjithëve të vrapojmë fillimisht në mentalitetin tonë për të qenë më gjithëpërfshirës, më zemërhapur, më mendjehapur”.
Top Channel