Shëngjini është gati! Një ditë para vizitës së Melonit, përfundon ngritja e strukturave që do të presin emigrantë

04/06/2024 12:11

Në portin e Shëngjinit është gati struktura pritëse e emigrantëve që do të vijnë nga Italia.

Në brendësi të portit ka përfunduar objekti, një fotot të të cilit e ka siguruar gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda, një ditë para se të vizitohet nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Qendra është marrë në dorëzim nga autoritetet italiane.

Kreu i qeverisë italiane vjen nesër në Shëngjin dhe Gjadër në një vizitë blic në vendin tonë, për të parë finalizimin e marrëveshjes që firmosi me homologun Edi Rama nëntorin e kaluar.

Top Channel, duke iu referuar burimeve diplomatike mëson se numri një i qeverisë italiane do të mbërrijë në Shëngjin rreth orës 12:20 të së mërkurës. Meloni do të shikojë edhe procesin e ndërtimit të ambienteve akomoduese në Gjadër  ku puna ende vazhdon dhe sot prania policore ishte tepër  e madhe

Në këtë vizitë që vjen pas një zhurme të madhe mediatike në të dy anët e kufirit, kryeministria Meloni do të shoqërohet nga një numër i madh gazetarësh italianë .Kryeministria Meloni dhe kryeministri Edi Rama pritet që nga Shëngjini të dalin edhe në një konferencë për shtyp.

Top Channel