Mbas apelit të parë ku kërkoheshin hetime intensive për të zbardhur sulmin ndaj Sokol Mëngjesit, komuniteti i avokatëve nis mesazhin e dytë.

Për tre ditë sipas këshillit të përgjithshëm të avokatëve, avokatët në të gjithë vendin do të braktisin çdo proces civil, penal dhe administrative. Përjashtim bëjnë vetëm seancat e masave të sigurisë.

Mbledhja u thirr një ditë pasi avokati Sokol Mëngjesi, i cili vazhdon të jetë i intubuar prej një jave, u transportua për kurim më të specializuar në Greqi. Sokol Mëngjesi u sulmua nga dhëndëri i klientit të tij Dritan Nano, që të dy të arrestuar.

Konflikti me avokatin kishte nisur mbasi i dyshuari nuk po respektonte kontratën mbi një process pronësie, për të cilën familjarët e Nanos kanë denoncuar në polici se është falsifikuar nga një tjetër i afërm i tyre.

Konkretisht në mbledhje u vendos: 

1. Bojkotimin e të gjitha proceseve gjyqësore civile, penale dhe administrative në të gjitha nivelet e gjykatave përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese, për tre ditë duke filluar nga dita e nesërme dt.05.06.2024.

2. Përjashtohen nga procesi i bojkotit çështjet penale me objekt caktimi, ndryshimi, zëvendësimi dhe shuarje të masave të sigurimit .

3. Mospjesëmarrja e avokatëve në proceset civile dhe administrative është arsye objektive për tu shtyrë proceset nga ana e Gjykatave pa të drejtën e vazhdimit të procesit në këto tre ditë.

4. ⁠Moszbatimi i këtij vendimi nga çdo avokat përbën shkelje të rëndë disiplinore ndaj të cilit do të bëhet procedim disiplinor nga Komiteti i Disiplinës duke vendosur deri në heqje të licensës.

 

Top Channel