“E bëra për miqësi, nuk e dija peshën e avokatit”/ Zbardhet dëshmia e Dorian Aliasë pas sulmit të Sokol Mëngjesit: Donim t’i bënim presion, ma ka kërkuar…

30/05/2024 13:57

Është zbardhur dëshmia e 32-vjeçarit Dorian Alia, një nga autorët e sulmit barbar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi ditën e djeshme teksa ky i fundit po dërgonte fëmijën në kopsht.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton se Dorian Alia ka deklaruar se aktin e kreu “për miqësi” pasi ia kishte kërkuar Dritan Nano dhe se nuk e dinte peshën e avokatit Mëngjesi.

Po ashtu, ai ka deklaruar se bashkë me autorët e tjerë, donin t’i bënin presion të hiqte dorë nga gjyqi që avokati Sokol Mëngjesi kishte hapur.

Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar përfshirjen, ndërsa drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Voci deklaroi dje se Nano ishte organizuesi i sulmit dhe me autorët ishte takuar një muaj më parë.

Ndërkohë, burime nga spitali bëjnë me dije për gazetaren Dorjana Bezat se avokati Sokol Mëngjesi vijon në monitorim intensiv në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Autorët e sulmit janë identifikuar si Romario Tabaku 26 vjeç, Dorian Alia 32 vjeç, Drivald Alia 21 vjeç , Elton Kasaj 33 vjeç.

Policia sqaroi dje se Romario Tabaku ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij. Sipas policisë, Sokol Mëngjesi është goditur për shkak të detyrës.

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj bëri me dije se shkaku i dhunimit ka qenë për shkak të detyrës dhe se lidhet me një proces gjyqësor civil, për një çështje pronësie.

Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore.

Autorët tha ai nuk ka qenë të paguar, por ata kanë lidhje familjare dhe krushqie me njëri-tjetrin.

Ndërkohë Dorjan Alia u vetëdorëzua, ndërsa vijojnë ende të jenë në kërkim tre të tjerët, për të cilët policia ka vënë në dispozicion shumën 20 mijë euro për çdo informacion që çon në kapjen e tyre.

Top Channel