Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon për tre vite të tjera bashkëpunimin me sponsorin “Uji i Ftohtë Tepelene”

24/05/2024 18:42

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Uji i Ftohtë Tepelene kanë kënaqësinë të njoftojnë rinovimin e kontratës së bashkëpunimit për tre vitet e ardhshme.

Ky partneritet që ka zgjatur për 20 vite, ka qenë një shtyllë e rëndësishme në mbështetjen e futbollit shqiptar dhe në promovimin e sportit në të gjitha nivelet.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe CEO i Ujit të Ftohtë Tepelene, Luca Busi, firmosën sot kontratën e re, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Ky rinovim vjen në një moment shumë të rëndësishëm, teksa Kombëtarja Shqiptare e Futbollit po përgatitet të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Futbollit “UEFA EURO 2024”, që do të zhvillohet këtë verë në Gjermani.

Bashkëpunimi midis FSHF-së dhe Ujit të Ftohtë Tepelene është një nga më të gjatët dhe më të frytshëm në historinë e sportit shqiptar. Prej dy dekadash, Uji i Ftohtë Tepelene ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për Kombëtaren Shqiptare dhe aktivitetet e FSHF-së, duke siguruar hidratimin dhe freskinë e sportistëve në çdo ndeshje dhe stërvitje. Gjatë këtyre viteve, Uji i Ftohtë Tepelene ka qenë simbol i besnikërisë dhe përkushtimit ndaj futbollit shqiptar, duke ndihmuar në ndërtimin e një kulture sportive që promovon shëndetin dhe performancën e lartë.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka e nisi me një falënderim për CEO-n Busi dhe sponsorin “Uji i Ftohtë Tepelenë”, që ka qenë ndër sponsorët e parë që ka lidhur kontratë me FSHF-në, ndërsa zbuloi se Uji i Ftohtë Tepelenë do të shoqërojë ekipin edhe në fazën përgatitore në Austri dhe në finalet e EURO 2024.

Dua ta nis më një falëndërim për Luca Busi dhe të gjithë familjen Busi. Luca është sponsori i parë që ka ardhur, si CEO i Ujit të Ftohtë Tepelene dhe dua ta falënderoj që mori iniciativën dhe mbështeti FSHF-në, pati besim te ne që do të ishim partnerë seriozë. Uji i Ftohtë Tepelene e ka shoqëruar futbollin tonë për 20 vite në mënyrë konstante, pa dyshim futbolli ka uljet dhe ngritjet e veta, ka rezultate pozitive dhe negative. Uji i Ftohtë Tepelene ka qenë gjithmonë mbështetës, bashkëpunues dhe ka besuar te ne.

Viti 2024, vit kur ne jemi pjesë e një turneu shumë të rëndësishëm, Kampionati Europian “Gjermani 2024”, përkon me 20-vjetorin e kësaj marrëdhënie dhe kjo periudhë kaq e gjatë tregon se sa seriozë kanë qenë të dyja palët, për t’u rritur të dy bashkë dhe për t’i shërbyer të dy bashkë qëllimeve të përbashkëta, qoftë biznesit, apo qoftë edhe promovimit të futbollit.

Uroj që edhe në Europian, Uji i Ftohtë Tepelene të motivojë akoma edhe më shumë skuadrën. Ata do vazhdojnë të pinë Ujin e Ftohtë Tepelene edhe në Austri, edhe në Gjermani. Kompania na ka siguruar furnizimin me ujë, madje me shishen e re që ka prodhuar enkas për EURO 2024. Uroj që uji, t’i sjellë fat të gjithë skuadrës.

Ju falënderoj edhe njëherë për bashkëpunimin e deri tanishëm dhe t’i garantoj UFT që ne do vazhdojmë të jemi po kaq serioz sa tani”- tha Presidenti Duka.
Edhe CEO i UFT, Luca Busi, shprehu kënaqësinë e tij për vazhdimin e këtij bashkëpunimi: “Jemi krenarë që jemi pjesë e historisë së suksesit të futbollit shqiptar dhe mezi presim të kontribuojmë në arritjet e reja në vitet që vijnë.”

Me rastin e pjesëmarrjes së Kombëtares Shqiptare në Euro 2024, Uji i Ftohtë Tepelene ka krijuar një etiketë të re Limited Edition, e cila përmban firmat e të gjithë futbollistëve të Kombëtares. Kjo etiketë e veçantë do të jetë në dispozicion për një periudhë të kufizuar dhe synon të festojë këtë moment historik për futbollin shqiptar, duke e bërë çdo shishe të Ujit të Ftohtë Tepelene një kujtim të veçantë për tifozët dhe mbështetësit e ekipit.

Ky bashkëpunim i rinovuar thekson përkushtimin e përbashkët të FSHF-së dhe Ujit të Ftohtë Tepelene për të promovuar sportin dhe për të mbështetur atletët shqiptarë. Në një kohë kur Kombëtarja përgatitet për sfidat e Euro 2024, ky partneritet do të luajë një rol kyç në sigurimin e kushteve optimale për sukses.

FOTO GALERI
6/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA