Dyshohet se shpërdoroi detyrën kur ishte shef i Krimeve në Gjirokastër/ Celibashi dërgon për hetim të thelluar kryebashkiakun e Libohovës

24/05/2024 16:56

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vendosi dërgimin për hetim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme kryebashkiakun socialist të Bashkisë së Libohovës, Leonard Hide.

Dy muaj më parë Partia Demokratike informoi përmes një shkresë KQZ-në mbi hetimin e SPAK ndaj të zgjedhurit socialist i cili dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

“Për këtë kandidat në datën 31.03.2023, pranë KQZ është depozituar formulari e vetëdeklarimit i cili është regjistruar me nr. unik GJR-PS-13983. Në kuadër të verifikimit paraprak të kushteve të kandidimit të këtij kandidati, sipas përcaktimit të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit, KQZ ka kërkuar informacion nga zyra e gjendjes gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB). Në përgjigje të kësaj kërkese të KQZ, DPB informon se kandidati në fjalë nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë.

Nga verifikimi i të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të z. Leonard Vyrtyt Hide, rezulton se nuk ka deklaruar asnjë të dhënë që ka të bëjë me parashikimet për ndalime në ligjin nr. 138/2015. Subjekti zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë” me anë të shkresës nr. 1297, datë 16.05.2024 informon KQZ-në se z. Leonard Vyrtyt Hide është hetuar nga SPAK dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme.. “pasi dyshohet se në kohën që ka pasur detyrën e shefit të seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike”.

(Nisur nga ky informacion, KQZ çmon se është e nevojshme marrja e informacioneve shtesë në lidhje me faktet dhe rrethanat e parashtruara. Referuar nenit 8, pika 1, të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Kreu V, pika 3, shkronja “b/ii)”, të vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit, “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015, është Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Koordinimit Institucional, Sektori i Dekriminalizimit, që kryen verfikimin e plotë të deklarimeve të bëra”, sipas njofitmit të KQZ.

Relacion_vendim KSHZ_2024_00_verifikim e te dhenave ne formularin vetedeklarimit z.Leonard Hide.

Më 18 mars, Prokuroria e Posaçme mori të pandehur Leonard Hiden, pasi sipas dosjes, në kohën që ka mbajtur postin e shefit të policisë, Hide ka pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ka dyshime se kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tij, ai e ka lejuar këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Vetë Hide ka deklaruar se është gati që të japë dorëheqjen si drejtues i Bashkisë së Libohovës për t’u përballur me drejtësinë.

Mësohet se përveç Hidës, në dosjen që ka marrë në dorëzim SPAK janë marrë të pandehur edhe persona të tjerë. Pasi doli nga ambientet e SPAK ai tha se nëse do të jetë e nevojshme për hetimin që të lërë detyrën, do ta bëjë.

Top Channel