“E kemi harruar ndjesinë e humbjes! Xabi i zgjuar, ju tregoj sekretet tona”

22/05/2024 16:03

Amine Adli po shijon një sezon magjik bashkë me shokët e skuadrës, të cilët e kanë harruar ndjesinë e një disfate.

Bayer Leverkusen fitoi me meritë të plotë titullin kampion në Gjermani, madje pa pësuar asnjë humbje.

Djemtë e Xabi Alonsos kanë vendosur një rekord unik me 51 ndeshje radhazi pa u mposhtur gjatë këtij edicioni në të gjithë kompeticionet. Rekord që mund të përmirësohet nëse “Aspirinat” fitojnë dy finalet e radhës.

Atë të Europa League kundër Atalantës, të mërkurën, live në SuperSport 2 (21:00). Dhe finalen e Kupës së Gjermanisë përballë Kaiserslautern, të shtunën, SuperSport 4 (20:00).

10 gola dhe 12 asistime numëron sulmuesi i majtë moraken në 40 takime të zhvilluara me Leverkusenin. Teksa zbulon edhe sekretet e skuadrës fantastike që ka ndërtuar Xabi Alonso.

Ndjenjë e çuditshme. Askush prej nesh nuk e mban mend se si është të humbësh një ndeshje dhe si duhet të reagosh më pas. E kemi harruar plotësisht atë ndjesi.

Fituam titullin pa u mposhtur, një arritje e mahnitshme, por do të jetë tepër e dhimbshme për ne nëse humbasim finalet me Atalantën dhe Kaiserslautern.

Disa nga sekretet tona janë qetësia që kemi dhe alegria e atmosfera e shkëlqyer në dhomat e zhveshjes. Të gjithë djemtë janë të këndshëm në stilin e tyre, sidomos Frimpong. Ai na shkrin gazit, ka raste kur bën për të qeshur edhe trajnerin.

Xabi Alonso? Shumë i zgjuar. Trajneri më njeh shumë mirë, i ka të qarta cilësitë dhe dobësitë e mia. Ai e di që unë kam shumë energji. Ka raste kur duhet të shtysh në maksimum, por duhet të të jesh edhe i qetë.

Kam mësuar shumë gjëra nga trajneri, sidomos sa i përket pozicionimit dhe qëndrimit tim në fushë. Gjithashtu jam përmirësuar me të në aspektin e leximit të lojës.

Jemi një grup i mirë djemsh. Të gjithë janë gati të ndihmojnë njëri-tjetrin. Duam të zgjasim sa më gjatë këtë ndjenjën e pathyeshmërisë. Jemi të lumtur, kënaqësi të takohesh çdo ditë me miqtë dhe shokët e tu”, u shpreh 24-vjeçari./ SuperSport

Top Channel