Sterilizimi/ Mazhoranca dhe opozita nuk gjejnë dakordësi për shtrirjen e hetimit, por pajtohen për vizitat në disa spitale dhe listën e dëshmitarëve

21/05/2024 10:00

Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur ende dakordësi për shtrirjen e periudhës së hetimit prej vitit 2009 e këtej.

Kjo pikë e rendit të ditës u shty për një mbledhje tjetër. Por të dyja palët vendosën të vijojnë me vizitat e përbashkëta në terren për të parë zbatimin e kontratave koncensionare. Në dy javët e ardhshme do të zhvillohen vizita në Durrës, Shkodër, Lushnje, Vlorë dhe Spitalin e Traumës.

Ndërkohë në ditët e para të qershorit do të nisin thirrjet e dëshmitarëve. Të parët në radhë janë grupet e auditit të KLSH e më pas Nisma Thurje, e cila ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme për kontratën e shërbimit të sterilizimit. Në vazhdim do të mbahen dëgjesa të tjera sipas listës së dëshmitarëve të miratuar në Planin Hetimor.

“Kemi diskutuar në lidhje me një plan vizitash. Është dakordësuar që këtë javë dhe tjetrën në vijim, ndërkohë që pritet përgjigjja e kërkesave, u kemi lënë kohë 7 ditë institucioneve, është propozuar plani për vizitat në terren. Është propozuar që të premten të zhvillojmë një vizitë në spitalin e Durrësit dhe më pas do të vendosim për vizitë në 1 ose 2 qendra shëndetësore apo laboratorë.

Të martën të bëjmë një vizitë te spitali i Traumës dhe do të diskutojmë nëse do të vizitojmë një qendër shëndetësore”, tha kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi.

Top Channel