“Teknologjia, bekim që vjen me një mallkim”/ Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit në Tiranë, Rama vë theksin te mbrojtja nga keqinformimi

03/06/2024 09:43

Besnik Dervishi, komisioner për të drejtën e informimit mblodhi në Tirana homologët e tij në  konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, për të nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.

Në këtë konferencë, kryeministri Edi Rama pati një fjalë përshëndetëse.

“Mendoj se sfida është si të bëjmë që të rriturit të mos i tremben dritës e si t’i bëjmë qeveritë dhe institucionet shtetërore të mos i tremben dritës. Në këtë kontekst, dua të shtoj se e drejta për informim nuk është thjeshtë një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e  demokracive funksionale”.

Kryeministri theksoi se duhet të rrisim kulturën e transparencës në një kohë kur shikojmë një avancim marramendës të teknologjisë.

“Bekimi vjen bashkë me një mallkim që është kapaciteti, aftësia që kjo teknologji të përdoret për qëllime keqinformimi, për kaos apo dhe për konfuzion.  E drejta për informim kështu përballet me një kërcënim të madh në të njëjtën kohë kur kemi në dispozicion një mundësi të jashtëzakonshme, kështu që na takon ne ta përdorim sa më mirë, të vijojmë të investojmë në infrastrukturën digjitale dhe në programet e edukimit për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje të përdorin me efektivitet platformat digjitale”.

“Ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij në maksimum për ta nxjerrë gjithçka në dritë është një ushtrim, një proces mjaft i shëndetshëm dhe një mjet mjaft efektiv kundër keqinformimit dhe dezinformimit”, theksoi kryeministri Edi Rama.

Top Channel