Në dokumentin që disponon gazetari i Top Channel Muhamed Veliu të dosjes britanike për ndalimin e hyrjes të Sali Berishës, janë përfshirë edhe kundërshtitë e ish presidentit dhe ish kryeministrit shqiptar.
Në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” ku u zhvillua apeli i paprecedentë kur një ish kryeministër i kundërvihet vendimit të qeverisë britanike, avokatët e zotit Berisha kanë dhënë argumentet e tyre se përse vendimi i sekretares së shtetit Priti Patel ishte jo i drejtë.
“Vendim-marrësit nuk mund ti bazojnë gjetjet e tyre në fakte të pambështetura në prova apo që bazohen në pikëpamje të cilat në mënyrë të arsyeshme nuk mund të qëndrojnë. Akuzat e sekretares së shtetit për përfshirje kriminale dhe korruptive të marra në konsideratë janë pohime të rreme dhe jo të bazuara në fakte”–deklaruan avokatët e Berishës.
Thelbi i kundërshtimeve të tjera të vendimit sipas avokatëve të zotit Berisha kanë të bëjnë me këto aspekte:
“Sekretaria e shtetit në mënyrë të ligjshme nuk mund të marrë në konsideratë veprime të ndërmarra kur zoti Berisha ishte kryeministër apo president. Ndalimi për të hyrë në Britaninë e Madhe është i motivuar politikisht dhe i influencuar prej kundërshtarëve.
Bazuar në doktrinën e imunitetit sovran, kjo ia pamundëson Britanisë së Madhe ti refuzojë hyrjen e Sali Berishës apo një kreu shteti në detyrë apo jo në detyrë në lidhje me përfshirje në abuzime gjatë periudhës së drejtimit.
Qeveria shqiptare kishte të dhëna më herët se apeluesit Sali Berisha do ti ndalohej hyrja në Britaninë e Madhe. Dy ambasadorët e fundit Britanik janë jo të paanshëm.
Për ndërtimin e parkut energjetik zoti Berisha nuk është potencialisht i përfshirë në ndonjë akt kriminal lidhur me këtë çështje”,-theksuan avokatët e Berishës.
Gjatë shqyrtimit të apelit në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” ministria e punëve të brendshme Home Office tha këtë argument në hedhjen poshtë të pretendimit të ish kryeministrit demokrat se “ndalimi hyrjes në Britaninë e Madhe është i motivuar politikisht dhe i influencuar prej kundërshtarëve.
“Apeluesi Sali Berisha ishte njëri prej një numri individësh për të cilët ndalimi i hyrjes i është rekomanduar sekretares së shtetit. Ky grup ishte i balancuar politikisht me përfshirje nga të gjitha anët e politikës shqiptare”–thuhet në dokumentin që disponon Top Channel.
Lisa Giovannetti KC, përfaqësuese e qeverisë angleze në këtë proces, si prapësime të pretendimeve të zotit Berisha i dha gjykatës se përpara marrjes së vendimit sekretaria e shtetit u konsultua me Ministrinë e Punëve të Jashtme Foreing Office nga ku mori këtë opinion.
“Ka një probabilitet dhe risk të ulët apeluesi Sali Berisha mund të mbaje pozicione në qeveri potencialisht si kryeministër apo president. Ministria e Punëve të jashtme Foreing Office dhe Bashkimi Europian në Tiranë vlerësojnë se Partia Demokratike nuk ka gjasa të jetë e suksesshme në zgjedhjet e ardhshme. Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që kjo të ndodhë teksa apeluesi Sali Berisha mund të jetë kryetar i PD. Ai është 77 vjeç, mbase mund të zëvendësohet nga dikush më i ri deri në zgjedhjet e 2025 por kjo nuk është e garantuar”,–i tha gjykatës, Lisa Giovannetti KC, përfaqësuese e qeverisë britanike gjatë apelit të ndërmarrë nga ish-kryeministri demokrat, Sali Berisha.
Top Channel