Reshjet e shumta shkaktojnë rrëshqitje dheu në rrugën që lidh Gjakovën me Klinën! Mbyllet aksi, kërkohet kujdes i shtuar

18/05/2024 12:56

Rreth orës 1 pas mesnate këtë të shtunë në fshatin Volljak ka pasur shembje të dheut e çarje të rrugës.

Prishjet që ka shkaktuar rrëshqitja janë masive në rrugën që lidhë Gjakovën me Klinën e kryeqytetin, Prishtinën.

Shembja e tillë e ka bllokuar këtë rrugë duke e bërë të paaksesueshme për qarkullim.

Sipas informacioneve, reshjet e shumta të kësaj jave kanë shkaktuar rrëshqitjet e dheut derisa është kërkuar kujdes i shtuar për shkak të mundësisë që mund të ketë rrëshqitje të tjera të dheu në këtë zonë.

Që prej më shumë se dy vjetësh ka nisur projekti i zgjerimit të kësaj rruge nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

Kompania përgjegjëse për punimet që nga  nga mëngjesi i së shtunës kanë vazhduar me largimin e dheut me eskavatorë.

Rruga vazhdon të jetë e mbyllur derisa autoritetet nuk kanë dhënë një periudhë të caktuar se kur mund të pastrohet e lëshohet për qarkullim.

Automjetet janë duke shfrytëzuar rrugë alternative për të qarkulluar mes qytetit të Gjakovës dhe Klinës.

Udhëtarët ose kalojnë në këmbë ose devijojnë rrugën me makinë.

Top Channel