Mbajti peng fëmijët, Gjykata e Durrësit cakton ‘arrest në burg’ për Aleks Markun! Zbardhet dëshmia e tij: Qëllova se u ndjeva i kërcënuar nga persona që nuk i njihja, por…

17/05/2024 15:11

“U ndjeva i kërcënuar nga persona që nuk i shihja por më tha djali.”

Këtë ka deklaruar në sallë e gjyqit Aleks Marku për të cilin Gjykata e Durrësit caktoi “arrest në burg”. 40-vjeçari u arrestua nga forcat RENEA të mërkurën, pasi qëlloi me automatik dhe mbajti peng dy fëmijët e mitur.

Në gjykatën e Durrësit u zhvillua me dyer të mbyllura seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj Markut. Gjyqtari Shkëlzen Liçaj e vleftësoi të ligjshëm arrestimin dhe pasi dëgjoi palët caktoi masën shtrënguese “arrest në burg” pa afat.

40-vjeçari në dëshminë e tij pas arrestimit deklaroi se ka qëlluar me armë pasi dyshonte se po e sulmonin brenda banesës që kishte marrë me qira buzë detit në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Nga deklarimet në sallën e gjyqit krijohet përshtypja se duke parë gjendjen e babait, që dyshohet se ishte nën efektin e narkotikëve, fëmijët e kanë vënë në lojë gjë që ka rezultuar fatale pas reagimit.

Prej pak javësh ishte vendosur me familjen në Durrës për t’i shpëtuar kërkimit të mundshëm policor pas thyerjes së masës së sigurisë “arrest në shtëpi” në shtetin fqinj Itali, ku është nën hetim për vjedhje.

Marku u paraqit pa avokat mbrojtës, ndaj iu caktua kryesisht nga gjykata, ndërsa në sallë nuk ka pasur as familjarë të tij. Ndaj Markut rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje, shkatërrimit të pronës dhe prishjes së rendit e qetësisë publike, ndërsa kanë rënë akuzat për heqje të paligjshme të lirisë dhe kundërshtim i forcave të policisë.

Top Channel