Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë kërkuar dorëheqjen e gjyqtares Irena Gjoka, duke paraqitur vendimin e gjykatës së prerë.
Seanca e radhës në GJKKO është shtyrë më datë 21 maj, ora 10:00, ku ish-kryeministri së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin akuzohen për korrupsion.
“Ne kemi kërkuar që gjyqtarja Irena Gjoka të largohet nga kjo çështje. Ne do të bëjmë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka. Ne pretendojmë njëanshmëri nga gjyqtarja Irena Gjoka Jemi akuzuar që ne fabrikojmë fakte të paqena, për të intimiduar gjyqtaren, por nuk merr vendimet që themi ne, por ato që thotë SPAK. Berisha nuk është paraqitur sepse çështja e revokimit të masave së sigurisë është çështje proceduriale, kjo çështje nuk ka pasur asnjë provë që nga fillimi. Prokuroria nuk kanë një fabul të mekanizmit si është kryer kjo procedurë, kush korruptoi kë Gjykata nuk ka asnjë provë që të marrë asnjë masë sigurimi për zotin Berisha”, tha avokati Genc Gjokutaj, në një deklaratë për media.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pas vendimit të marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ndërsa Malltezi u arrestua në 21 tetor dhe më pas u la në arrest shtëpie.
Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”. Të dy kanë kërkuar disa herë ndryshim të masës së sigurisë, por iu është rrëzuar kërkesa.
Top Channel