Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të hënë fshatin Baltëz të Fierit, pasi një 28-vjeçar, punonjës i forcave “Shqiponja”, u vra me armë zjarri nga një 23-vjeçar.
Autori Azgan Mernica u arratis menjëherë pas krimit të rëndë, ndërsa policia vijon krehjen e zonës për gjetjen e tij dhe vënien në pranga.
Nga informacionet e para, policia po heton në disa pista, por mendohet se krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorit dhe viktimës, Nevrus Cenalia.
Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për Top Channel, se dyshohet se sherri ka nisur për kalimin e një rruge të ngushtë në fshatin Baltëz, ku jetonte viktima, ndërsa autori i cili jetonte në fshatin pranë, Sulaj, kalonte shpesh.
Policia ka vënë në dispozicion 30 mijë euro për këdo që ka informacion për vendndodhjen e autorit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e plota, si dhe për të zbuluar nëse mes tyre ka pasur një konflikt të mëparshëm.
Top Channel