Raportet sekrete të Sigurimit të Shtetit për dy djemtë e Kadri Hazbiut nga internimi në Kurbnesh: Vëllai im donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por…

05/05/2024 21:30

Nga Dashnor Kaloçi

“Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli.

Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.

Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dosieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!
Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al

Top Channel