Provimi i Magjistraturës, Rithemelimi: Po përgatisim padinë penale, do ta çojmë në SPAK këtë skandal të rëndë! Po hedh në erë pavarësinë e gjyqësorit

03/05/2024 12:34

PD e Rithemelimit tha se po përgatit një padi penale dhe do ta dërgojnë në SPAK shkeljet e ndodhura në provimin e Magjistraturës.

Sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso e cilësoi një skandal të rëndë rastin, ndërsa shtoi se kjo hedh në erë pavarësinë e gjyqësorit.

Kaso: Një provë tjetër se cila dhe çfarë është drejtësia e re po shpaloset prej një jave në shkollën e Magjistraturës.

Të pakënaqur me fituesit, ish-prokurori socialist, tashmë drejtor i shkollës së Magjistraturës, me urdhër partiak ka futur në listë 40 emra jofitues, patronazhistë të rilindjes, të nxjerrë nga mënga e pushtetit.

Me qëllimin e njohur dhe të vetëm kapjen e sistemit të drejtësisë përfundimisht edhe për katër dekadat e ardhme. Një plan ogurzi që nuk ndryshon nga ai i Enver Hoxhës që i ktheu gjykatat në tualete të pushtetit politik.

U bë më shumë se një javë nga zbulimi i skandalit te Magjistratura dhe asnjë reagim nga struktura drejtuese e drejtësisë.

Sigurisht, nga drejtuesi i shkollës nuk pritej asnjë reflektim, pasi ai është aty si shpërblim për aktivitetin e tij ekstra jurdik dhe politik.

Pyetja është: po bordi që përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Drejtësisë, kryetari i KLP etj., pse hesht? Ende nuk është thënë asgjë, ende nuk është marrë asnjë masë, ende nuk është bërë asnjë transparencë.

Partia Demokratike u kërkon aleatëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë publikisht për të penguar kapjen e sistemit të drejtësisë, jo vetëm për sot por edhe për pjesën e mbetur të shekullit. Një drejtësi klienteliste dhe politike, si kjo që po përgatit Rilindja është një sistem që bën me turp Shqipërinë, por edhe aleatët e saj.

Një drejtësi në dorën e një force politike është një fyerje për taksapaguesit amerikanë dhe europianë, për ekspertët e tyre, që kanë kontribuar në Shqipëri që nga viti 1992.

Profilet e bandës me 40 patronazhistë të Ali Babës së pseudodrejtësisë, të hetuara nga mediat këto ditë dëshmojnë qartë se të gjithë personat e shtuar në listën e fituesve punojnë në institucione të administrates, ose vijnë direkt nga zyrat e patronazhimit të PS.

Juristët e administratës dhe të qeverisë së Ramës gradohen, jo për merita në jurisprudencë por për militancë politike.

Ky është turp që taksapaguesit shqiptarë nuk duhet ta pranojnë.

Në dyert e gjykatave trokitet për ligjin, jo me teserën e Partisë Socialiste në xhep.

Nëse nuk parandalohet ky projekt vrastar, ky do të jetë realiteti nesër.

Partia Demokratike po përgatit padinë penale dhe do ta çojë në SPAK këtë skandal të rëndë që dëmton infrastrukturën e shtetit, dhe hedh në erë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Ne kërkojmë gjithashtu verifikimin e procedurave të mëparshme të pranimit në këtë shkollë që kur Arben Rakipi është vënë në krye të Magjistraturës.

Prokurorit Rakipi dhe shërbëtorëve të tjerë të pushtetit u bëjmë me dije se, herët e vonë do të përgjigjen para ligjit për vrasjen publike që po i bëjnë një pushteti të pavarur në themel të një republike shqiptare të denjë për të qenë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian nesër.

Top Channel