Operacioni antidrogë në Tiranë/ Zbulohet se si e identifikoi grupin policia: Merrnin banesa të ndryshme dhe…

02/05/2024 16:00

3,.5 kg kokainë dhe dhjetëra doza heroine dhe kanabisi u sekuestruan nga ana e policisë të Tiranës në një operacion të iniciuar që prej muajit janar ku u shkatërrua rrjeti me 35 shpërndarës që operonin pranë shkollave dhe në lokalet më të frekuentuara në kryeqytet.

“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua faza e tretë e operacionit “Tempulli”, në kuadër të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas të cilët janë të arrestuar më parë gjatë operacioneve, si dhe vijon puna për kapjen e 10 shtetasve të tjerë”, tha Tonin Vocaj.

Furnizues të këtij grupi ishin Ervis Gorellari dhe Fatjon Cici të arrestuar në shkurt të këtij viti në Astir dhe Enea Sulejmani, ilir Begaj dhe Shkëlqim Osteni të cilët u arrestuan këtë mars në një operacion në Rrugën e Kavajës. Të dyshuarit kundërshtuan policinë dhe Enea Sulejmani u plagos pasi tentoi të godiste me makinë një prej punonjësve të policisë. Nga zbërthimi i telefonave të të arrestuarve u zbulua se ata bashkëpunonin dhe me Ervis Shkurtën një punonjës i forcave operacionale që dyshohet se e ka mbrojtur këtë rrjet për të mos rënë në rrjetën e policisë.

E veçanta e këtij rrjeti shpërndarësish prej 35 personash që u identifikua nga policia është mënyra se si ata operonin. 5 furnizuesit merrnin banesa të ndryshme me qera ku depozitonin kokainën dhe pasi e ndanin në doza më të vogla ua jepnin shpërndarësve të cilët mbërrinin tek blerësit duke u maskuar nën aktivitetin taksi.

Një pjesë e të arrestuarve ishin taksistë të licensuar të cilët mbulonin kryesisht zonën e Laprakës dhe Xhamllikut. Ky operacion është në vijim të dy operacioneve kombëtare të zhvilluar muajt e fundit ku në target kanë qenë shpërndarësit e drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA