Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pas më shumë se shtatë orësh ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai tha para gazetarëve se ishte ezauruar totalisht çështja e shpjegimeve mbi inceneratorët.
Ndërsa u shpreh se ishte paraqitur në SPAK për të bashkëpunuar me hetuesit e BKH dhe shtoi se nuk mund të zbulojë detaje të tjera që konsiderohen pjesë e sekretit hetimor të çështjes.
“Së pari do doja të falenderoja kolegët e SPAK, një institucion me të cilin nuk kisha pasur të bëja më së pari por që pas këtij takimi ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari në Shqipëri, është krijuar një institucion serioz. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është të mos i përgogojmë institucionet, por të bashkëpunojmë. Isha këtu si bashkëpuëntor, kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve, gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga bashkia me 37 euro toni dhe sesi ky proces ishte komplet një gjë tjetër, e pakërkuar nga investitorë të tjerë që nuk kishin lidhje me bashkinë e Tiranës. Sigurisht që u thanë edhe detaje të tjera por mu kërkua që për çështje sekreti hetimor dhe çështje etike që mos t’i ndaj me gazetarët. Ndihem më i lehtësuar që pata mundësinë më në fund të them fjalën time. Besoj se edhe armiqtë e mi ndihen më të qetësuar”- u shpreh Veliaj ndër të tjera.
Pas përfundimit të deklaratës për mediat, kryebashkiaku u shpreh se do të merrte pjesë në mbledhjen online të këshillit bashkiak ku diskutohen 10 pika të rendit të ditës.
Top Channel