Punësimi në turizëm në rritje! Durrësi po rikthen të rinjtë të punojnë në Shqipëri

30/04/2024 16:02

Marsel Shkurta është një nga maturantët e degës së hoteleri-turizmit në shkollën profesionale “Hysen Çela” të Durrësit.

Krahas shkollës, ai edhe punon duke zbatuar në praktikë gjithccka që mëson, ndërsa siguron të ardhura për veten e familjen.

“Zgjodha arsimin profesional sepse më jep mundësi të punësohem më shpejt dhe të jem më i aftë se nxënës të shkollave të arsimit të përgjithshëm. Shkollat profesionale të japin mundësi të prekësh zanatin. Që në vit të parë fillova punë dhe gjysmën e përvojës ma ka dhënë shkolla dhe tjetrën puna. I punësuar në një restorant në Durrës paguhem 75 mijë lekë dhe pres të rritet”, u shpreh Marsel Shkurta.

Në përgjigje të kërkesave në rritje të sektorit të turizmit, drejtues të arsimit parauniversitar dhe universitar, bashkisë dhe operatorë turistikë u mblodhën në Durrës për të diskutuar mbi sfidat dhe forcimin e bashkëpunimit në dobi të zhvillimit të një turizmi cilësor e të qëndrueshëm, që ofron shërbim të kualifikuar dhe larmi të produkteve turistike.

“Fakti që dy shkollat e mesme profesionale të Durrësit janë shkollat me numrin më të lartë të nxënësve tregon shumë. Sidomos për qytetin tonë është shumë i volitshëm arsimi profesional, pasi i shërben turizmit, i shërben të gjithë qytetarëve dhe rritjes ekonomike të Durrësit”, tha Amarilda Thërrmija, Drejtore ZVA Durrës

“Gjatë praktikave kur nxënësit vijnë në restorant tek ne bëjmë një përzgjedhje të nxënësve më të mirë. Më pas i punësojmë dhe i trajnojmë që t’i kemi pjesë të punës sonë në vazhdimësi”, u shpreh operatori turistik Arjan Braholli.

Fuqizimi i sektorit të turizmit ka ndikuar edhe tek të rinjtë që gjithnjë e më shumë e shohin të ardhmen në Shqipëri.

“Duke qenë se shkolla jonë është e lidhur me bizneset, ato vijnë dhe kërkojnë nxënës për të punësuar dhe kjo është një gjë e mirë sepse ne e gjejmë gjithnjë një vend pune.”

“Dua të studioj në Shqipëri se mendoj që nëse ne do ta braktisim vendin tonë kush do të jenë ata që do ta zhvillojnë atë!? Ndaj të studiojmë dhe punojmë këtu që ta zhvillojmë Shqipërinë”, u shprehën dy nxënëse.

“Fuqia punëtore këtë vit është më e mirë. 3 vjet më parë nxënësit dhe shefat e kuzhinës që kishim përgatitur ndër vite filluan të ikin drejt Gjermanisë për paga më të mira, po shoh që tani ata po rikthehen dhe duan të punojnë sërish tek ne”, tha operatori turistik Braholli.

Siguria dhe cilësia e turizmit janë sfidat themelore, ndaj bashkëpunimi ndërmjet arsimit profesional, pushtetit vendor dhe operatorëve turistikë është thelbësor për të krijuar infrastrukturë të përbashkët dhe për të zhvilluar më tej produktet turistike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA