Ryshfet 12 mijë euro për leje shfrytëzimi dhe 7500 për të mos shembur një objekt në Ksamil! SPAK çon për gjykim zyrtarin e urbanistikës dhe ish kreun e IKMT në Sarandë

26/04/2024 11:36

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj të pandehurve Julian Preni, ish-kreu i IKMT në Sarandë, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe zyrtarit të zyrës së Urbanistikës, Arjel Balani, i arrestuar për të njëjtën akuzë.

Po ashtu ka përfunduar hetimi edhe për Foti Dodën, i cili hetohet në gjendje të lirë nën akuzën e korrupsionit të zyrtarëve publikë.

Çfarë zbuluan hetimet e SPAK:

Foti Doda dhe Sofia Doda ishin përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil ku vite më parë kishin ndërtuar një objekt. Arjel Balani duke qenë punonjës në zyrën e Urbanistikës në bashkinë Sarandë i ka kërkuar Foti Dodës shumën prej 12 mijë eurosh për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në mënyrë që ta pajisnin me leje për shfrytëzimin e plazhit.

Në muajin korrik të vitit 2021, Balani iu ka marrë Foti dhe Sofia Dodës shumën prej 6 mijë eurosh, të cilët i bënë të qartë se pjesën tjetër do ia jepnin ku të nxirrej leja. Duke qenë se marrëveshja nuk u bë e mundur, i pandehuri Arjel Balani ua ka kthyer shumën monetare prej 6 mijë eurosh.

Të njëjtët persona, Foti dhe Sofia Doda kanë pasur probleme edhe në lidhje me procedurën e ndjekur për prishjen e një objekti të ndërtuar në Ksamil për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit. Hetimet nxorrën se gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019, subjekti “Foti Doda” është vendosur prishja e këtij objekti.

Në muajin mars të vitit 2020, Julian Preni, asokohe kreu i IKMT-së në Sarandë, i ka kërkuar Foti Dodës 7500 euro për të mos i prishur objektin e ndërtuar në plazhin e Ksamilit. Pas negociatave, Foti Doda i ka dhënë Prenit shumën prej 3 mijë eurosh. Pas korrupsionit, objekti ndaj të cilit ishte vendosur shembja në vitin 2019, nuk u shemb.

Hetimet kanë zbuluar se shembja e objektit është bërë e mundur vetëm në datën 7 qershor të vitit 2021.

Pas dorëzimit të dosjes së hetimeve, GJKKO pritet të zhvillojë seancën për të marrë vendim mbi të pandehurit.

Top Channel